​Ministria e Shëndetësisë deklarohet lidhur me rastin e vdekjes së 7 vjeçares në Prishtinë

Me kërkesë të Policisë së Kosovës, sot Inspektorati Shëndetësor i Ministrisë së Shëndetësisë ka shkuar për të kryer një inspektim specifik në Institucionin Shëndetësor Privat “CT Scaner” në lagjen Ulpiana të Prishtinës, me themelues A.K.

Në një komunikatë për media thuhet se për shkak se institucioni në fjalë në momentin e paraqitjes së inspektorëve shëndetësor para hyrjes së tij ishte i mbyllur nga ana e Policisë së Kosovës, pas disa informacioneve të marra nga policia dhe banorët në afërsi të IPSh në fjalë, inspektorët shëndetësorë kanë shkuar në Klinikën Emergjente në QKUK ku ishte transferuar një pacient-fëmijë (T.H., 2013), i cili paraprakisht i ishte nënshtruar rreth orës 10:00, një ekzaminimi MRI (Rezonancë Magnetike) në IShP “CT Scaner”, të caktuar një ditë më herët. Për të bërë ekzaminimin, fëmija kishte shkuar i shoqëruar në këtë institucion privat nga të dy prindërit e tij.

Sipas dyshimeve, për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore gjatë ekzaminimit në IPSh “CT Scaner”, pacienti ishte transferuar në Klinikën Emergjente të QKUK-së, nga ekipi i Mjekësisë Urgjente të Prishtinës, shoqëruar nga një mjek specialist i Anesteziologjisë me Reanimacion i institucionit privat ku ishte kryer ekzaminimi, thuhet tutje në komunikatë.

Me të arritur në Klinikën Emergjente-QKUK, Inspektorati Shëndetësor ka marrë deklaratat e mjekëve të ndërrimit, sipas të cilëve kur pacienti kishte arritur (i transferuar aty, ishte pa shenja jete dhe përkundër reanimimit kardio-pulmonor të ekipit të emergjencës, për rreth dy orë, nuk kishte mbijetuar.

Inspektorati Shëndetësor vazhdon hetimet rreth këtij rasti dhe së shpejti do të hartojë raportin përfundimtar rreth të gjeturave të inspektimit në këtë rast.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE