10 të mirat që u solli Perandoria Osmane serbëve dhe Serbisë

Vizita dyditore e presidentit turk Rexhep Taip Erdogan në Serbi, nënshkrimi i 12 marrëveshjeve ndërshtetërore mes Beogradit dhe Ankarasë si dhe thellimi i bashkëpunimit ekonomik shënuan afrimin më të madh historik mes Turqisë dhe Serbisë.

Marrëdhëniet turko-serbe, për pjesën më të madhe të historisë së re, janë veçorizuar prej lidhjeve miqësore diplomatike, bashkëpunimit politik dhe atij ekonomik, shkruan Konica.al.

Duke e kapërcyer narrativën ngushtësisht nacionaliste të historiografisë serbe, marrëdhëniet mes serbëve dhe turqve osmanë ngërthejnë më shumë episode bashkëpunimi sesa konfliktualiteti.

Serbët i detyrohen Perandorisë Osmane për një dyzinë të mirash:

Me nismën e vezirit me origjinë serbe, Sokollu Mehmed Pasha, më 1557 u rithemelua Kisha Ortodokse Serbe nën Patriarkanën e Pejës. Sipas historianit Dushan Batakoviç, ‘kjo shënon fillimin e një rilindje fetare të miletit serb’.

Në vitet 1793 dhe 1796, sulltan Selimi III shpalli dy fermane, me anë të të cilave u njiheshin të drejta të konsiderueshme serbëve në Sanxhakun e Smederevës. Mes të drejtave që fituan serbët ishin mbledhja e taksave nga knezët; liria e tregtisë dhe fesë.

Kryengritja e parë serbe, më 1804, u përkrah nga sulltani me qëllim të shkatërrimit të pushtetit të daive, trupa jeniçere që nuk honepsnin fare pushtetin qendror në Stamboll.Pas kryengritjes së dytë serbe, në harkun kohor 1815-17, Porta e Lartë me fermanin e vitit 1830 njohu autonominë e Serbisë, dhe më 1835 kushtetutën e Principatës Serbe.

Me të ashtuquajturën Konventë të Akkermanit, të nënshkruar më 1826 mes Rusisë dhe Perandorisë Osmane, në artikullin 5 parashihej autonomi për Principatën e Serbisë dhe zgjerimin e saj me toka të reja. Serbëve iu njoh edhe zyrtarisht liria e lëvizjes gjithandej Perandorisë Osmane.Në vitin 1867, Perandoria Osmane u pajtua për tërheqjen përfundimtare të trupave të saj ushtarake nga Serbia.

Perandoria Osmane u pajtua me vendimet e Kongresit të Berlinit (1878) që e njihnin Serbinë si shtet të pavarur.Ndonëse ‘mileti serb’ (sirp milleti) në vilajetet e mbetura në Perandorinë Osmane nuk njihej zyrtarisht, Kisha Ortodokse Serbe ishte përfaqësuesja legale e të gjithë serbëve që jetonin në tokat e perandorisë.

Porta e Lartë lejonte ekzistencën e shkollave serbe në Vilajetin e Kosovës dhe atë të Manastirit, në një kohë kur nuk lejohej asnjë shkollë në gjuhën shqipe.E para gazetë në Vilajetin e Kosovës, e quajtur gazeta “Prizren”, që u botua në vitin 1871, pati një rëndësi të posaçme për jetën kulturalo-arsimore të serbëve në Kosovë. Gazeta dilte një herë në javë në katër faqe, dy në gjuhën turke dhe dy në gjuhën serbe.

SHPËRNDAJE