30 ditë paraburgim për të dyshuarin që sulmoi ekipin e Gazeta Blic në veri të Mitrovicës

Një muaj paraburgim është caktuar për personin që dyshohet se i sulmoi fizikisht gazetarët e Gazetës Blic në veri të Mitrovicës.

Në një njoftim nga ana e Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, bëhet e ditur se kanë marrë vendim për caktimin e paraburgimit për të ndaluarin, shtetasin serb me inicialet M.Gj nga Mitrovica, i dyshuar për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar“.

Ngjarja kishte ndodhur me 23 mars, ku ekipi i Gazetës Blic, me gazetarët Nebi Maxhuni dhe Diamant Bajra dhe kameramani Arsim Rexhepi ishin sulmuar fizikisht derisa ishin duke realizuar një dokumentar mbi furnizimet me miell që vinin Serbia në veri të Mitrovicës.

Sulmi ndaj tyre është dënuar nga AGK dhe disa politikanë kosovarë.

Komunikata e plotë nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës:

Mitrovicë, 04 prill 2020 – Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Përgjithshëm, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, caktimin e paraburgimit për të ndaluarin, M.Gj nga Mitrovica, i dyshuar për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar“, nga neni 402 paragrafi 3 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Ndalimi i të dyshuarit ka ardhur pas një sulmi që i njëjti ka bërë me datë 23 mars ndaj ekipit të gazetës Blic, të cilët kishin shkuar në veri të Mitrovicës për të bërë një kronikë rreth situatës me pandeminë e Korona virusit.

Që nga dita e sulmit ndaj gazetarëve, i dyshuari ka qenë në arrati, dhe është arrestuar ditën e enjte me datën 02 prill.

Gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur ditën e sotme me datë 04 prill i ka caktuar të dyshuarit masën e arrestit shtëpiak prej një (1) muaji.

Me respekt,

Zyra për Komunikim Publik në ZKPSH
Prokuroria Themelore Mitrovicë

SHPËRNDAJE