43- vjeçarin nga Lipjani po e presin fëmijët në shtëpi: Babai shkoi në Serbi dhe nuk u kthye më…

Besim Berisha, baba i dy fëmijëve, një vajze dhe një djali, nëntë muaj më parë u nis për një vizitë në Beograd dhe nuk u kthye më. Ai kishte shkuar për të vizituar atje vajzën e vëllait të tij dhe një javë më pas i kishte thënë se po kthehej në Kosovë. Krejt çka dinë deri më tani familjarët është se ai ishte nisur për në Kosovë dhe që nga ajo kohë fëmijët po e presin ardhjen e tij në shtëpi, në fshatin Dobrajë e Vogël të Lipjanit
Vajza e tij, Elmaze Berisha, rrëfen për Gazetën Express se pasi e priti babain disa muaj, gjatë janarit u drejtua në polici dhe e raportoi të zhdukur. Që nga data 25 janar, ai po kërkohet nga Policia e Kosovës.

“U kan këtu në shpi edhe tha po shkoj në Serbi edhe nuk u kthy më. U shku te çika e axhës teme atje. Ka nejt ni javë, tani u nis për me ardhë në Kosovë, më nuk ka ardhë”, rrëfën vajza e Besimit për Gazetën Express.

Besim Berisha 43 vjeç nuk i kishte lënë familjes ndonjë fjalë, apo porosi.(Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje të plotë)

“Jo nuk na ka përshëndet veç tha po shkoj me nejt një jave edhe vi. Jo s’jena dëgju më”, thotë ajo.


Elmaze Berisha, 18 vjeç

Elmazja thotë se babai i saj nganjëherë kishte probleme mendore, ndërsa gruaja i ishte larguar nga shtëpia para 13 vjetëve.

“Nana m’ka dalë kur i kom pas 5 vjet u martu, veç babën e kom pas edhe vllaun”, thotë ajo.

Elmazja thotë se me babain ka kaluar mirë, por nuk ka pas edhe shumë kontakte pasi ai kohë pas kohë ka dalur për të punuar me shishe.

“Spo di çka me than mirë u kan mu kthy, tash u zhduke. Jena msu tash… Nuk ka bërtit u kan mirë po u kan pak i smutë, probleme mendore”, thotë Elmazja.


Shtepia e Besim Berishes, Dobrajë e Vogël Lipjan
Në lidhje me këtë person, kërkimet e deritanishme policore nuk kanë dhënë ndonjë rezultat, andaj policia po kërkon nga të gjithë qytetarët që mund të ndihmojnë në identifikimin e vendndodhjes së Besim Berishës të informojnë policinë në numrin 044-506091 ose në linjën emergjente 192.

Më datë 25.01.2018, në Polici është raportuar rasti person i zhdukur. Bëhet fjalë për personin Besim Berisha, i nacionaliteti rom, i lindur në vitin 1975, banues në fshatin Dobrajë e Vogël, komuna e Lipjanit, njofton policia, transmeton Gazeta Express.


Besim Berisha

SHPËRNDAJE