45 për qind e bizneseve në Kosovë e kanë ndërprerë aktivitetin

Ndonëse nuk ka pajtim për ndikimin e pandemisë në ekonominë e Kosovës, kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se 45 për qind e bizneseve kanë ndërprerë aktivitetin ose janë ndikuar drejtpërdrejt nga masat kufizuese të qeverisë. Ai është bazuar në një anketë që kanë kryer pesë organizata të biznesit.

Zeka ka folur në emisionin Desku në KTV. Ka theksuar se humbjet ditore janë deri në dhjetë milionë euro në ditë, për shkak të ndikimit të pandemisë.

“Kjo është pjesa tjetër e fatkeqësisë. Ne kemi një shtet, kemi institucione publike, organizata si odat ekonomike, që përfaqësojnë interesat e sektorit privat, që nuk janë në gjendje të dakordohen për një set informatash për sa i përket ndikimit të pandemisë në sektorin privat apo në ekonomi në përgjithësi”, ka thënë Zeka.

Organizata që ai drejton ka zgjedhur rrugën institucionale, ka përcjellë të dhënat që janë prezantuar nga guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës. Sipas Zekës guvernatori ka folur për humbje prej nëntë deri në dhjetë milionë euro. Bëhet fjalë për humbje ditore në ekonominë kosovare.

“Me anketën që e kemi kryer bashkërisht pesë asociacione të biznesit, kemi gjetur që diku 45 për qind e bizneseve kanë ndërprerë aktivitetin e tyre, ose janë ndikuar drejtpërdrejt nga masat kufizuese që janë vendosur nga qeveria. Kemi qenë aty diku me parashikimet e BQK-së, respektivisht të dhënat që janë prezantuar nga guvernatori”, ka shtuar Zeka.

Sipas tij, drejtori gjeneral i Administratës Tatimore të Kosovës ka konfirmuar se qarkullimi i të gjitha bizneseve në Republikën e Kosovës është reduktuar për 40 për qind.

Zeka ka thënë se është e pamundur të jepen të dhëna të sakta sa i takon numrit të personave që kanë humbur vendet e punës.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE