7300 qytetarë e patën problem ta gjejnë vendvotimin, 317 të tjerë votuan me dokumente me afat të skaduar

Procesi i votimit në të gjithë vendin po vazhdon të vëzhgohet nga Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”. Deri tash, kutive të votimit u janë drejtuar rreth 560 mijë qytetarë nga i gjithë vendi.

Edhe në këto zgjedhje, një numër jo i vogël i qytetarëve e kanë pasur problem që të gjejnë vendvotimet e duhura.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, DnV ka bërë me dije se deri në orën 13:00 janë raportuar rreth 7 mijë e 300 raste që qytetarët e kanë pasur problem gjetjen e vendvotimeve.

“Vështirësitë në gjetjen e vendvotimeve nga votuesit, janë shprehur që në orët e para të mëngjesit. Në intervalin kohor 09:30-13:00 numri i rasteve kur qytetarët kanë pasur problem në gjetjen e vendvotimeve është 7300 në 1280 vendvotime”, thuhet në komunikatë.

Përveç vështirësive në gjetjen e vendvotimeve, edhe në këto zgjedhje një numër i qytetarëve janë lejuar që të votojnë me dokumente me afat të skaduar. DnV raporton për 300 raste të tilla.

“Janë rreth 317 raste kur votuesit janë identifikuar dhe janë lejuar të votojnë me dokumente të vlefshme, por me afat të skaduar”, thuhet në komunikatën e DnV’së drejtuar mediave.

Ndryshe, sipas statistikave të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Qendror Zgjedhor, deri në orën 15:00 kanë votuar rreth 560 mijë qytetarë nga i gjithë vendi. Këtë proces zgjedhor janë duke e vëzhguar rreth 30 mijë vëzhgues nga organizata vendore e ndërkombëtare.

Në gjithë Kosovën janë hapur 895 qendra votimi me rreth 2000 vendvotime, derisa numri i qytetarëve me të drejtë vote është 1 milion e 937 mijë e 868.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor do të kujdesen Policia dhe Prokuroria e Shtetit, institucione këto me të cilat KQZ-ja bashkëpunon përherë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 25 subjekte politike për pjesëmarrje për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Mes tyre, 4 koalicione, 20 parti politike dhe 1 kandidat i pavarur. E këto subjekte politike janë shqiptare, serbe, boshnjake, turke gorane, ashkalinje, rome dhe egjiptiane./GazetaExpress

SHPËRNDAJE