A do t’a mbjellë një pemë Albin Kurti- kjo është përgjigja e Vetëvendosjes për Haradinajn

Megjithëse raportet në mes të kryeministrit Ramush Haradinaj e liderit të Vetëvendosjes Albin Kurti, momentalisht nuk qëndrojnë aq mirë, Haradinaj zgjodhi që kundërshtarin e tij politik ta sfidojë pak ditë më parë. Por, fushata “Mbjellë një pemë”, po shihet nga VV-ja si sfidë fëmijërore, ndërkaq në një përgjigje për Gazetën Express nga kjo parti kanë bërë të ditur se Kurti nuk do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës.

I pari në listën e atyre që kryeministri Ramush Haradinaj nominoi në sfidën “Mbjellë një pemë”, ishte lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Përderisa disa nga të tjerët që u nominuan iu përgjigjen pozitivisht ftesës, i vetmi politikanë që Haradinaj sfidoi nuk e ka ndërmend të mbjellë pemë, në kurriz të kësaj nisme.

Të kontaktuar Lëvizjen Vetëvendosje, kanë bërë të ditur se janë duke pritur debat politik në mes të liderëve, e jo sfida të cilat i kanë quajtur fëmijërore.

“Ne po presim të bëhet një debat politik mes liderëve, jo këso sfidash fëmijnore”, ka thënë, Arlind Manxhuka nga sekretariati për media i VV-së.

Tutje nga partia që udhëheq Albin Kurti po kritikojnë këtë nismë, duke thënë se një gjë e tillë duhet të bëhet nga kryetari i komunës, kryhet nga kryeministri që me ligj do të duhej të ishte duke udhëhequr negociatat Kosovë-Serbi.

“Kryetari i Komunës që duhet të mbjellë pemë ndërkohë kryeministri që me ligj i takojnë negociatat mbjellë pemë. Kjo përfundon në një paradoks ku askush nuk e bënë mirë punën e vet duke u fshehur prapa punës së tjetrit”, thonë nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ndërkohë, ditë më parë nga zyra e kryeministrit ka filluar nisma “Mbjellë një pemë”, nga ku janë sfiduar disa nga fytyrat publike për të mbjellur pemë në vende të ndryshme të Kosovës.

Haradinaj për këtë sfidë, pasi u nominua nga ish-presidentja Atifete Jahjaga zgjodhi kopshitin parashkollot Milingonat në Kodrën e Trimave, nga ku shkroi se ka synuar që përmes kësaj të bartë shembullin edhe te fëmijët.

SHPËRNDAJE