A do të lirohen studentët nga pagesa e semestrit?! – Flasin nga UP-ja

Kërkesat e vazhdueshme si nga ana e studentëve, por edhe nga figura tjera publike, që të lirohen studentët nga pagesa e semestreve në studimet e tyre në Universitetin e Prishtinës, ka mbetur në dorë të Ministrisë së Arsimit.

Në një përgjigje nga ana e UP-së, thuhet se ata janë të obliguar të respektojnë secilin vendim që do merret nga ana e Ministrisë së Arsimit, edhe për lirimin apo jo të pagesave për studentët që studiojnë në këtë universitet.

Ata thonë se një gjë e tillë është diskutuar në Këshillin Drejtues të UP-së, ku është marrë vendim që për këtë çështje të diskutohet me Ministrinë e Arsimit.

“Njoftoheni që Këshilli Drejtues i UP-së e ka shqyrtuar kërkesën për heqje të tarifave për shkollim për këtë vit akademik. KD-ja ka vendosur që të qëndrojë prapa praktikes që është vepruar deri me tani, duke kontaktuar me MASH-in lidhur me këtë çështje”, thotë rektorati për Gazeta Blic.

Gazeta Blic ka tentuar të bisedojë për këtë temë edhe me Ministrinë e Arsimit, por që ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Një kërkesë të tillë, ditë më parë, e ka parashtruar edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fidan Rekaliu.

Në një takim të tij, me kryeministrin Avdullah Hoti, deputeti Rekaliu, ka kërkuar shqyrtimin e mundësisë për lirimin e studentëve nga pagesat e semestrit, për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Në një shkrim të tij, Rekaliu thotë se ka marrë vlerësimin e kryeministrit Hoti, lidhur me këtë kërkesë, teksa shton se ky i fundit është zotuar që do të shoh mundësitë dhe do të mundohet që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të mundësuar realizimin e kësaj kërkese.

“Ishte kënaqësi, të takoja Kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Avdullah Hoti. Duke i shprehur falënderim të vecantë për punën e madhe që po bën ai dhe Qeveria që udhëheqë, për të përballuar pandeminë COVID – 19.Duke pasur në konsideratë pasojat që kjo pandemi ka shkaktuar tek qytetarët, kërkova nga Kryeministri Hoti, që studentëve të nivelit bachelor dhe master, të iu mundësohet lirimi nga pagesat e semestrave dhe të gjitha shpenzimeve të tjera administrative për vitin akademik 2020/2021. Gjithashtu mora vlerësimin e Kryeminsitrit Hoti, rreth kërkesës time, e që është kërkesë e studentëve dhe familjeve të tyre. Duke theksuar që ky veprim do të krijonte lehtësi ekonomike tek familjet në Kosovë, Kryeministri u zotua që do të shoh mundësitë dhe do të mundohet që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të mundësuar realizimin e kësaj kërkese”, ka shkruar Rekaliu.

Ende nuk dihet se a do të merren parasysh kërkesat e studentëve kosovarë që studiojnë në Universitet të Prishtinës, të cilët kanë kërkuar lirimin nga pagesa.