A do të marr fund sot përplasja SHBA-Kosovë për taksën?

Taksa e vendosur ndaj produkteve serbe në fundin e nëntorit të vitit 2018, ka krijuar një krizë në raportet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke i vendosur ato në nivelin më të ulët në dy dekadat e fundit.

Kjo pasi që shefi i Qeverisë, Ramush Haradinaj, për muaj me radhë që nga nëntori ka shpërfillur në mënyrë të hapur kërkesat eksplicite të SHBA-së, për të pezulluar vendimin për tatim ndaj prodhimeve që kanë origjinë Serbinë.

Përveç letrave të dërguara nga tri nivelet e institucioneve, SHBA-ja në Kosovë ka dërguar edhe një varg diplomatësh të cilët kanë kërkuar heqjen e taksës me qëllim të vazhdimit të dialogut të Brukselit me Serbinë për normalizimin e raporteve.

Pas dy zyrtarëve të Këshillit Kombëtar të Sigurisë që udhëhiqet nga John Bolton, sot në Kosovë po qëndron për vizitë numri tre i Departamentit të Shtetit Amerikan, David Hale.

Hale ka qëndruar të premtën në Serbi ku është takuar me krerët e shtetit serb, me të cilët ka biseduar për situatën në Kosovë, dialogun e Brukselit dhe sigurisht edhe për vendimin për taksën.

Nga atje ai e ka bërë shumë të qartë se në Kosovë do të vijë me kërkesa shumë të hapura, që të hiqet taksa në mënyrë që të vazhdojë dialogu i Brukselit për arritjen e një marrëveshje finale.

Diplomati amerikan, David Hale, sot ka mbledhur edhe krerët e shtetit të Kosovës në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ku pritet që kërkesën e SHBA-së për pezullim të taksës ta kërkojë hapur dhe më më ngulm, pasi që presioni për të vazhduar dialogun për arritjen e marrëveshjes finale dhe për vendosjen e stabilitetit në Ballkan është shumë i madh.

Por a do të arrijë Hale që ta bind Ramush Haradinajn përfundimisht për ta pezulluar taksën, dhe a do të merr fund sot acarimi i raporteve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, si pasojë e një takse të vendosur ndaj produkteve të Serbisë, mbetet të shihet pas takimit.

Se raportet Kosovë-SHBA janë acaruar pas taksës e ka thënë edhe Matheë Palmer, i cili ka thënë se këto raporte ndërmjet dy shteteve kurr më keq skanë qenë.

Ndërkohë përveç deklarimeve, SHBA-ja ka vendosur edhe sanksione konkrete, duke mos i dhënë vizë kreut të Qeverisë, Ramush Haradinaj, ka pezulluar disa projekte për Ushtrinë, ka anuluar një program ku ishte planifikuar të merrnin pjesë rreth 15 persona nga Kosova në disa trajnime në Marshall./GazetaExpress/

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE