A do të marrë pjesë PSD në tryezën e VV-së?

Zëdhënësi i Partisë Socialdemokrate, Shkodran Hoti ka thënë se PSD nuk ka pranuar ftesë zyrtare nga VV që të jetë e pranishme në tryezë, raporton Gazeta Blic.

Hoti ka thënë se sapo të marrin ftesën, do ta shqyrtojnë brenda organeve të partisë vendimin për të shkuar ose jo në këtë tryezë.

“Ende nuk kemi marrë ftesë zyrtarisht. Sidoqoftë, sapo ta pranojmë një të tillë, PSD do ta shqyrtoje këtë në organet e saj”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosjes do ta organizojë të premten, më 25 maj tryezën e radhës, ku të ftuara janë të subjektet politike në vend.

Tryeza është titulluar “Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve”, e cila do të mbahet në ambientet e Kuvendit.

“Kjo tryezë mbahet me synim arritjen e konsensusit për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës, si zgjidhja demokratike që do të mundësonte krijimin e një qeverisjeje legjitime të shumicë…”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Njoftimi i plotë i Vetëvendosjes:

Lëvizja VETËVENDOSJE! do të organizojë të premten, më 25 maj, në ambientet e Kuvendit, tryezën e titulluar “Zgjidhja nëpërmjet zgjedhjeve”, ku do jenë të ftuara subjektet politike në Kosovë.

Kjo tryezë mbahet me synim arritjen e konsensusit për realizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës, si zgjidhja demokratike që do të mundësonte krijimin e një qeverisjeje legjitime të shumicës për të çuar përpara proceset e domosdoshme politike dhe ekonomike për shtetndërtimin e Republikës së Kosovës, zhvillimin e vendit dhe integrimet euro-atlantike, duke përfshirë këtu edhe pakicat në shtetin tonë e raportin me fqinjët tanë.

Kujtojmë që ka qenë Lidhja Demokratike e Kosovës, partia e parë në vend e cila ka ftuar të gjitha partitë në një tryezë politike me qëllim të gjetjes së një konsensusi për temat e mëdha të vendit, ani pse para fillimit të tryezës thuhej se qëllimi i LDK-së është për zgjedhje të parakohshme.

Pas takimit është bërë e ditur se subjektet janë pajtuar vetëm për një çështje: që takimet e llojit të tillë të organizohen edhe në të ardhmen, me rotacion.