A do të shtyhen zgjedhjet për shkak të ankesave të partive politike? Ky është lajmi që po e presin të gjithë

Deri të martën do të duhet të marrin epilog ankesat e subjekteve politike dhe kandidatëve që janë ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Nëntë apele nga subjekte politike e kandidatë, u dorëzuan më 23 janar, pas moscertifikimit nga Komisioni Qendror Zgjedhor në mbledhjen e 22 janarit, për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit në Kosovë.

“PZAP-ja në afat prej 72 orëve prej momentit të pranimit të këtyre apeleve ka për obligim dhe do t’i shqyrtojë dhe vendos për to”, tha për Radion Evropa e Lirë, kryesuesi i sekretariatit të PZAP-së, Mul Desku.

Por, ky insititucion i pavarur, mund të vendosë edhe më herët në apelet që janë dorëzuar brenda afatit ligjor.

“PZAP-ja do të angazhohet me gjithë kapacitetin për t’i kryer sa më shpejt që është e mundur edhe para skadimit të afatit prej 72 orëve. Vendimet mund të merren në të njëjtën ditë apo edhe në ditë të ndryshme para skadimit të afatit prej 72 orëve”, sqaroi Desku.

Si merren vendimet në PZAP?

Bazuar në ligjin në fuqi, PZAP-ja përbëhet nga dhjetë anëtarë, përfshirë kryesuesin, i cili vjen nga radha e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Kosovës dhe anëtarët e tjerë që vijnë nga radha e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatave Themelore të Kosovës.

PZAP-ja mund të mblidhet në seanca të ndara me nga së paku tre anëtarë, por për çështje të rëndësisë së veçantë, kryesuesi i PZAP-së mund të krijojë një panel që do të përbëhej nga nëntë anëtarë të këtij institucioni. Aty, vendimet merren me shumicë votash.

Në ligj është e specifikuar qartë se vendimet e PZAP-së janë të detyrueshme për KQZ-në.

Aktualisht, kryesues i PZAP-së është Shukri Sylejmani.

Çfarë vendimesh mund të priten?

Albert Krasniqi nga organizata ‘Demokraci Plus’, thotë për Radion Evropa e Lirë, se është hipotetike të dihet saktë se çfarë do të vendosë ky institucion i pavarur, por ai pret që do të aprovohen pjesërisht ankesat e subjekteve dhe kandidatëve.

“PZAP, mund të kërkojë nga KQZ-ja që t’i certifikojë këto subjekte politike, pasi nuk mund t’i mohohet kandidimi të gjithë atyre që nuk kanë probleme me ligjin, pra atyre që nuk kanë dënime në 3 vjetët e fundit vetëm për shkak se kandidatë të tjerë në listë kanë pasur dënime të tilla. Kjo do të ishte e padrejtë nëse do të ndodhte”, tha Krasniqi.

Ai thotë se subjeket politike e kanë kaluar afatin kohor që të bëjnë ndryshime ose zëvëndësime në listën e kandidatëve, prandaj pret që listat e subjekteve që janë ankuar, mund të mbesin me më pak kandidatë, nëse PZAP-ja merr vendim për aprovim të pjesërishëm të ankesës së tyre.

“Partitë e kanë refuzuar të drejtën që të bëjnë ndryshime në listën e kandidatëve. Por, tani ato mund të mbesin me më pak se 110 kandidatë. Sidoqoftë, kjo nuk është fare pengesë. Jo domosdoshmërisht, partitë duhet të kenë numrin e plotë të kandidatëve të lejuar. Por tash varet nga vendimi i PZAP-së, pasi partitë realisht po kërkojnë të kthejnë procesin në fillim”, shtoi Krasniqi.

Në vitin 2019, KQZ nuk kishte certifikuar kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune, në katër komunat me shumicë serbe në veri, por PZAP-ja e kishte aprovuar kërkesën e Listës Serbe dhe KQZ-ja ishte detyruar që ta zbatojë këtë vendim.

Cilat janë instancat tjera për apelim?

Më së largu deri më 26 janar, subjektet politike do të pranojnë me shkrim vendimet për apelet e tyre nga PZAP-ja. Nëse janë të paknaqur, ekziston edhe shkalla e fundit për ankesë, Gjykata Supreme.

“Gjykata Supreme duhet që më së largu deri më 30 janar të kthejë përgjigjje në apelet e partive politike. Me këto vendime të Gjykatës Supreme, hapet rrugë për vazhdimin e procesit zgjedhor, ku organizohet hedhja e shortit për renditje në fletvotim”, sqaron Krasniqi.

Në rast se subjektet politike ose kandidatët janë të paknaqur edhe me vendimin e Gjykatës Supreme, kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë edhe në Gjykatën Kushtetuese, por kjo nuk ka efekt në shtyrjen ose mosmbajten e zgjedhjeve, në afatin e caktuar kohor.

Albert Krasniqi nga ‘Demokraci Plus”, i referohet shembullit nga zgjedhjet e fundit.

“Kemi pas një ankesë në Kushtetuese nga Nisma Socialdemokrate për mospranimin e votave me postë që kishin arritur pas afatit ligjor, por rezultati ishte certifikuar dhe nuk ka pasur ndonjë pengesë”.

Polarizime të skajshme

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në rastin e deputetit Etem Arifi ka nxitur interpretime të ndryshme nga subjeket politike, në krye me Lëvizjen Vetëvendosje, që insisiton se kandidatët e saj nuk mund të jenë subjekt i këtij vendimi, pasi ata janë dënuar me burgim me kusht.

3 janar 2018, deputetët e atëhershëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Faton Topalli dhe Donika Kadaj-Bujupi janë dënuar me kusht për hedhjen e gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, më 20 janar tha se ai do të jetë “bartës liste”, pasi që Këshilli Gjyqësor i Kosovës, i kishte dërguar KQZ-së, listën prej 47 kandidatësh, bashkë me emrin e tij, të cilët sipas këtij institucioni nuk mund të jenë pjesë e garës zgjedhore.

“Unë jam bartës liste, i cili i respekton dhe i përfill me përpikëri Kushtetutën dhe ligjet, të cilët mbrojnë të drejtat e të gjithë neve dhe secilit prej nesh”, pati deklaruar Kurti.

Më 22 janar, në një mbledhje të tensionuar, KQZ-ja me shumicë votash, nuk certifikoi listat zgjedhore të subjekteve politike: Vetëvendosje, Nisma Socialdemokrate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, pasi këto parti nuk i kishin zëvendësuar kandidatët për të cilët Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte thënë se nuk janë në përputhje Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme.

Ndërkohë më 23 janar, ushtruesja e detyrës së presidentit Vjosa Osmani, e cila është kandidate për deputete në listën e VV-së, përmes një adresimin në rrjetin social Facebook, i ka cilësuar të pashembullta, të pahijshme dhe të papranueshme, vendimet e KQZ-së.

“Në rast se ballafaqohemi sërish me situata të tilla sikur ajo e djeshmja, ku abuzohet me KQZ-në si institucion i pavarur për të shtyrë përpara agjenda partiake si dhe forum ku ushtrohet presion mbi shërbyesit civilë do të detyrohem të ndërmarr të gjitha masat për mbrojtjen e integritetit të KQZ-së dhe këtij procesi zgjedhor, ashtu siç e parasheh ligji për zgjedhjet dhe ashtu siç më detyron kushtetuta e vendit”, ka thënë mes tjerash ajo.

Osmani iu referua takimit të 22 janarit, të KQZ-së, ku Zyra për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim i rekomandoi KQZ-së që t’i certifikojë të gjithë kandidatët për deputetë, të cilët janë në kuadër të listave zgjedhore të subjekteve politike për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit në Kosovë.

Ky propozim, sipas drejtorit të kësaj zyreje, Yll Buleshkaj, ka ardhur si rezultat i paqartësive në pikën “q” të nenit 29 të Ligjit për zgjedhje të përgjithshme, pikë kjo që ua ndalon kandidimin personave të dënuar në tri vjetët e fundit

Buleshkaj ka theksuar se zyra që ai drejton ka propozuar që të certifikohen të gjithë kandidatët, duke lejuar hapësirë për ankesa më vonë.

Por, kjo u kundërshtua nga shumica e anëtarëve të KQZ-së, të cilët vendosën që të votojnë një nga një për subjektet politike, pasi disa prej tyre nuk i kishin zëvendësuar kandidatët për të cilët Këshilli Gjyqësor i Kosovës kishte thënë se nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.