A do t’i shkojë nesër në zyrë lideri i VV’së Hashim Thaçit? VV-ja i drejtohet Kushtetueses!

Për nesër e ka ftuar në takim konsultues presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kreun e Qeverisë në detyrë, Albin Kurtin, mirëpo, kësaj here si shef të Lëvizjes Vetëvendosje.

Thaci tha se do t’i përmbahet Kushtetutës së Kosovës kur të vendosë lidhur me hapat e rinj të formimit të qeverisë. Edhe amerikanët janë pro krijimit të një qeverie të re. Kjo u tha qartë në njoftim të Presidencës që u lëshua pas takimit Kosnett-Thaçi.

Me këtë nuk po pajtohen në Vetëvendosje.

Ata thonë se vetëm partisë së parë i takon e drejta për të formuar qeverinë, e se nëse ndodh skenari i krijimit të Qeverisë së re do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese për interpretim.

Derisa LVV po kërkon zgjedhje të reja sapo të stabilizohet gjendja në vend pas përhapjes së koronavirusit, Thaçi nga nesër do të nis konsultimet me partitë.

Nga partitë parlamentare Thaçi ka ftuar të parin liderin e Vetvendosjes, Albin Kurtin.

Por ende nuk dihet nëse Kurti do ti shkojë në takim të parit të shtetit.

GazetaBlic ka pyetur zyrtarë të Vetëvendosjes nëse këta të fundit kanë marrë ftesë nga presidenti Thaçi dhe nëse do ti përgjigjen ftesës, por të njejtit nuk kanë kthyer përgjigje.

Por në një njoftim për medie, nga VV-ja thonë se sot në orën 14:30, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, ku më pas do të deklarohet për media.

Të njëjtit nuk e kanë bërë publike arsyen pse sot ky subjekt i është drejtuar kushtetueses.

“Sot në ora 14.30 ju lutemi të na ndiqni në pronocimin e Nënkryetares së Kuvendit. znj Arbërie Nagavci, në hyrjen e Gjykatës Kushtetuese. Lutemi së bashku të reaspektojmë rekomandimet e IKSHPK dhe MSH për distancën e nevojshme dhe mjetet mbrojtëse”, thuhet në njoftim.

SHPËRNDAJE