A i mori erë shkarkimit? Ish anëtarja e AAK-së, Laura Kryeziu Selimi, jep dorëheqje nga Këshilli Drejtues i UP-së

Laura Kryeziu-Selimi ka dhënë ka dhënë dorëheqje nga pozita që e mbante si anëtare e Këshillit Drejtues. Gazeta ka siguruar letrën e dorëheqjes që Kryeziu i ka nisur sot Ministres së Arsimit, Hykmete Bajramit si kërkesën që e kishte nisur për rektorin e UP-së, Marjan Dema.

Anëtarja e Këshillit Drejtues në Universitet të Prishtinës, Laura Kryeziu-Selimi me datë 20 shkurt iu është drejtuar me një letër rektorit të UP-së, Marjan Dema, të cilit i ka përcjellë edhe kritikat për funksionim të këtij institucioni.

Në letrën që e ka siguruar Gazeta Express, Kryeziu shkruan se UP po ballafaqohet me shumë sfida, e ka ende rrugë të gjatë para vetës për të përmbushur standardet akademike, profesionale, e infrastrukturore, si dhe për t’ju përgjigjur nevojave të brezit të ri.

“Për më tepër, UP mbetet larg në përmirësimin e cilësisë karshi universiteteve konkurrente në rajon, dhe jo vetëm. Gjatë shërbimit tim tanimë dy vjeçar në cilësinë e anëtares së KD-së si dhe të kryesueses kam qenë konsistente në qëndrimet, kërkesat dhe vendimet e mia karshi shumë parregullsive të evidentuara kryesisht në aspektin e menaxhimit të përgjithshëm të UP-së”, shkruhet në letër.

Ajo thotë se problemi kryesor në UP mbetet mungesa e llogaridhënies, transparencës dhe veprimet konkrete për të adresuar gjetjet, teksa shton se rektori, mbetet përgjegjësi kryesor për sukseset dhe dështimet e UP-së.

Laura Kryeziu – Selimi i ka përmendur edhe disa nga dështimet e sekretarit të përgjithshëm të UP-së, Esat Kelmendit, gjatë kohës sa kjo ishte në detyrë, si dështimin e konkurseve administrative, mosrespektimin e rekomandimeve të auditorit të përgjithshëm, e dështimin e realizimit të projekteve kapitale dhe mosrespektimin e procedurave të prokurorimit, dyshime mbi të hyrat personale dhe keqtrajtim të buxhetit, si dhe dyshimet për ligjshmërinë e pozitës aktuale të Sekretarit të Përgjithshëm.

“Dua të ju përkujtoj që detyrimet ligjore, keqpërdorimet si dhe problemet që lini pas, do të adresohen kudo që vjen radha. Por, mosveprimi nga ana juaj do të rëndoj mbi ju kudo që jeni”, thuhet në fund të letrës, thuhet në këtë letër, për të cilën Kryeziu nuk ka marrë përgjigje nga rektori i UP-së.

Sot ndërkaq, për shkak të pakënaqësive në funksionimin dhe menaxhimin në Universitetin e Prishtinës, Kryeziu e ka nisur një letër dhe për ministren e Arsimit, Shkencës,  Teknologjisë dhe Inovacionit.

Në letrën që Kryeziu e ka nisur sot për ministren Hykmete Bajrami shkruhet se për dy vite sa kishte bartur pozitën e anëtares së këshillit, ajo kishte evidentuar dhe adresuar disa parregullsi në menaxhimin e përgjithshëm të UP-së.

“Arsyet pse nuk janë adresuar këto çështje nga menaxhmeti i UP-së, mbesin ende të panjohura për mua! Për më tepër, moszbatimi i vendimeve të KD-së ka rezultuar në rritjen e pakënaqësisë si dhe mosbesimit nga ana ime karshi menaxhmetit të UP-së”, shkruan ajo, derisa e njofton Bajramin se për këtë arsye ajo thotë se ka dhënë dorëheqje nga pozita që mbante në Universitet të Prishtinës.

 

SHPËRNDAJE