A i mori kompania e Pacollit dy herë para AKP-së për një shërbim?!

Ka më shumë se një dekadë, që Agjencia Kosovare e Privatizimit dhe kompania e sigurimeve “Siguria”, nuk po mund të merren vesh mes vete për 1,180 euro.

Për këtë punë, AKP-ja e ka paditur kompaninë “Siguria”, e cila është pronë e Rrahim Pacollit, familjarit të zëvendëskryeministrit kosovar, Behgjet Pacolli.

Por as gjykata ende nuk i ka dhënë një zgjidhje kësaj pune.

Krejt problemi ka nisur, pasi AKP-ja po pretendon se “Siguria” ia mori dy herë paratë për një shërbim.

Në raportimin e para komisionit parlamentar, zyrtarët e AKP-së treguan se tash e disa vite e kanë këtë problem me “Sigurinë”, pasi ajo nuk po i kthen sipas tyre 1,180 euro të marra kundërligjshëm.

Por, si lindi problemi?

Asokohe, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit (AKM) kishte kontratë me kompaninë e shpedicionit “Forca”, për sigurim, regjistrim dhe kontrollim teknik të automjeteve.

Mirëpo, për disa prej këtyre shërbimeve, “Forca” e kishte nënkontrakuar kompaninë e sigurimeve “Siguria”.

Sipas zyrtarëve të AKP-së, të gjitha pagesat janë kryer tek kompania “Forca”.

Por, siç thonë në këtë institucion pas disa vitesh, “Siguria” u ka kërkuar atyre të dhëna rreth pagesave të polisave, të cilat AKM-ja asokohe i kishte kryer tek “Forca”.

“AKP ia ka kthyer përgjigjen me të dhënat e kërkuara dhe dëshmitë për kontratën në mes AKM-së dhe kompanisë “Forca” dhe pagesat e kryera ndaj kësaj kompanie. AKP, si pasardhëse e AKM-së, nuk ka asnjë obligim kontraktual ndaj kompanisë së sigurimeve “Siguria”, pasi që për këtë ka pasur kontratë publike të nënshkruar në mes AKM-së dhe kompanisë “Forca””, thuhet në përgjigjen e AKP-së për Gazetën inFokus.

Pas këtij sqarimi, Agjencioni Kosovar i Privatizimit tregon se “Siguria” përmes përmbaruesit privat i ka marrë paratë nga Thesari.

Në “Siguri” kanë tjetër sqarim

Megjithatë, në kompaninë e sigurimeve “Siguria” e kanë një tjetër arsyetim për tërë këtë situatë që ka ndodhur.

Ata thonë se AKP-ja asnjëherë nuk e ka dëshmuar se e ka kryer këtë pagesë. Prandaj, sipas tyre në mënyrë që të mos parashkruhet lënda dhe paratë të humbasin, ata e kanë nisur procedurën përmes përmbaruesit privat.

Në “Siguri” thonë se në rast se AKP-ja e vërteton se i ka paguar paratë njëherë, atëherë edhe ata do t’i kthejnë mjetet.

“Nëse kanë qenë pagesat e kryera, atëherë ne i kthejmë mjetet siç i kemi marrë, 1180.70 euro me procedurë përmbarimore. Vetëm le të na e vërtetojnë, ne i kthejmë mjetet”, thotë njëra prej zyrtareve, e cila nuk do t’i përmendet emri.

Përkundër që në AKP thonë se disa herë i kanë kërkuar “Sigurisë” që t’i kthejë mjetet, ata thonë se nuk kanë informacion nëse kanë pranuar një kërkesë të tillë.

“Nuk e di unë me kënd kanë fol, ose kush e ka ndjekë këtë procedurë. Vetëm është dashtë me u konfirmu pagesat, kthehen mjetet dhe përfundon çështja”, ka thënë zyrtarja e kësaj kompanie.

Gazeta inFokus ka kontaktuar edhe me kompaninë “Forca”, e cila ka pasur kontratë asokohe me AKM-në dhe si kompani nënkontraktuese e kishte angazhuar “Sigurinë”.

Nexhmije Kllokoqi nga kjo kompani, thotë e bindur se ajo nuk i ka borxh askujt dhe se asaj nuk i ka askush borxh.

“Unë kam qenë agjent doganor i cili e ka fitu tenderin për me ua kry sigurimet, regjistrimet, kontrollat teknike. Krejt ato i kam bërë me paratë e mia, pastaj ua kam faturu atyre dhe ata mi kanë qitë paret gjithmonë”, thotë ajo.

“Unë jam shku çdo muaj dhe jam barazu. Gjithmonë jam barazu. 00 kam qenë, as nuk më kanë mbet ata borxh e as unë “Sigurisë” nuk i kam mbet borxh. Të dyja palët kemi qenë 00, tash çka ka lindë në ndërkohë nuk e di. Për pjesën sa kam qenë unë me plot përgjegjësi them që as nuk më ka mbet mua AKP-ja borxh, e as unë “Sigurisë” nuk i kam mbet borxh”, thekson Kllokoqi.

Përkundër që ka kaluar dhjetë vite e ky problem nuk është zgjidhur, në kompaninë e sigurimeve “Siguria” thonë se do të kishin pasur dëshirë që problemin ta zgjidhin mes vete, pa shkuar në Gjykatë.

Padinë nga Gjykata, tregojnë se akoma nuk e kanë pranuar. 

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE