A ka kapacitet Kosova ti zëvendësoj produktet serbe? Kjo është përgjigjja e këtij prodhuesi vendor

Nuk mendoj që as Kosova e as shtete të tjera kanë kapacitet që t’i zëvendësojnë produktet e importuara qind për qind, qoftë nga Serbia apo vende tjera, ka thënë Anëtari i Klubit të prodhuesve vendor, Shaqir Palushi.

Palushi në intervistën e dhënë për Gazeta Insaideri zëvendësime të produkteve mund të ketë deri në një masë, por jo tërësisht.

Sipas tij edhe përkundër kësaj, pra që Kosova nuk ka mundësi të zëvendësimit të mallrave serbe taksa prej 100 për qind duhet të qëndroj.

“Në fund të fundit kjo sjellje kaq arrogante e Serbisë karshi Kosovës nuk meriton një respekt të konsumatorit të Kosovës duke konsumuar siç dihet mbi 500 milionë euro në vit aq sa importohen nga Serbia”, u shpreh ai.

Pronari i Kompanisë “Frutex”, ka thënë me vënien e taksës janë vetëdijesuar edhe konsumatorët.

“Mendoj që ka filluar rritja e vetëdijes së konsumatorëve për konsumimin e produkteve vendore dhe kjo sigurisht do të ketë shumë efekte pozitivë për gjenerimin e shumë vendeve tjera dhe zhvillimit të bizneseve dhe ekonomisë në përgjithësi në Kosovë”, ka deklaruar ai.

Palushi ka theksuar se kërkesa për produktet vendore ka shënuar rritje./Insajderi.com 

SHPËRNDAJE