A ka korrupsion në radhët e Policisë? Përgjigjet drejtori i saj

Në Shtetet e Bashkuara ndodhet për një vizitë Drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj. Atje, ai ka thënë për Zërin e Amerikës se kishte patur takime në Institucionet amerikane që mbulojnë sigurinë, si Interpoli Amerikan, Byroja Nërkombëtare për Narkotikët, FBI-ja, Qendra Ndërkombëtare e Terrorizmit, me të cilët është biseduar për forcimin e lidhjeve të institucioneve të Kosovës me këto institucione, që e mbështesin Kosovën në këtë fushë.

​I pyetur lidhur me operacionin e 28 majit të Policisë së Kosovës në veri të vendit, ai tha se ishte zbatuar urdhëri i gjykatës, pas hetimeve të gjata që janë bërë, nën dyshimet për përfshirje në krimin e organizuar dhe kontrabandë të disa individëve, në mesin e tyre zyrtarë të policisë së Kosovës.

Zoti Qalaj tha se operacioni kishte në objektiv vetëm njerëz që janë marrë me krimin. Njerëzit e dinë të vërtetën, theksoi ai, që janë arrestuar të gjithë ata që janë marrë me vepra kriminale.

Ai tha se zyrtari i UNMIK-ut me shtetësi ruse u ndalua, ngaqë ishte bërë pengesë për operacionin e policisë, që zbatoi gjatë forcën e nevojshme për zbatimin e ligjit.

Drejtori i Policisë tha se Policia e Kosovës është një dhe operon në të gjithë vendin, pa dallim.

Pyetjes lidhur me akuzat për korrupsion në radhët e policisë, ai iu përgjigj se Policia e Kosovës është një nga institucionet që merret më së shumti me vetveten.

Ai tha se Policia ka një bashkëpunim të mirë me Inspektoriatin e Policisë, që ka mandatin që të hetojë dhe inspektonë Policinë e Kosovës.

SHPËRNDAJE