A pati apo jo shofer autoambulanca e Spitalit Amerikan që dërgoi futbollistin e lënduar në spital

Futbollisti Valmir Veliu i Llapit ka pësuar lëndim të rëndë në përballjen kundër Prishtinës, e cila u zhvillua sot në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të xhiros së 31-të Ipko Superligës së Kosovës.

Valmir Veliu mbeti i lënduar në minutën e 33-të ndeshjes, pas një përplasjeje me Diar Miftarajn e Prishtinës dhe pastaj u dërgua në spital, pasi mori trajtim nga stafi mjekësor edhe në fushën e lojës.

Përderisa më parë u raportua nga disa media se autoambulanca nuk kishte pasur shofer dhe një mjek ishte detyruar ta voziste futbollistin e lënduar deri në spital, Spitali Amerikan e ka pasur shoferin dhe intervenimi është kryer në kohë reale.

Kjo ndeshje, e cila luan rol të madh në renditjen e klubeve të tabelën e IPKO Superligës së Kosovës, përfundoi me fitore të vendasve me rezultat 1:0.

Në minutën e 20-të të ndeshjes, Basit Khalid e shënoi një gol për Prishtinën, megjithatë ai gol u anulua për pozitë jashtë loje. Pak para këtij tentimi të Khalidit, Behar Maliqi shkoi afër golit.

Ndërsa, afër fundit të ndeshjes, në minutën e 88-të, golin e fitores e shënoi Mërgim Pefqeli, duke ia mbajtur gjallë Prishtinës shpresat për titull.

Me këtë fitore, Prishtina radhitet në pozitën e dytë, me dy pikë prapa liderit, ndërsa Llapi radhitet në pozitën e tretë, me pesë pikë më pak. /Gazeta Express/

SHPËRNDAJE