A pati takim ndërmjet PDK-së e LDK-së për një koalicion të ri?! Flasin nga partia e Kadri Veselit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, mohon se kanë patur ndonjë takim me Lidhjen Demokratike të Kosovës sa i përket hyrjes së PDK-së në qeveri.

Lushtaku thotë se këto janë opinione dhe thekson se PDK-ja duhet të qëndrojë edhe më tej në opozitë.

“Asnjë anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës nuk ka patur ndonjë takim me LDK-në. Vetëm janë opinione të ndryshme edhe të partisë sonë edhe të partisë në pushtet, por nuk kemi asnjë takim dhe nuk na kanë kërku asnjë takim. Ne si parti i qëndrojmë idesë që PDK-ja duhet të qëndrojë akoma në opozitë por të shohim se si do shkohet më tej “ tha Lushtaku shkurt.

Gazeta Blic nga burime të saj brenda LDK-së, ka marrë vesh se Kryetari Isa Mustafa pritet të mbajë mbledhje me Kryesisinë e ngushtë të partisë për të vendosur në lidhje me këtë çështje.

Po i njëjti burim i ka thë Gazeta Blic se nëse merret vendimi brenda LDK-së kjo e fundit pritet të marrë postin e presidentit si dhe disa ministri.

“Isa Mustafa do të takohet sot me kryesinë e ngushtë të LDK-së, për të vendosur se a do të hyjnë në koalicion me PDK-në apo jo. Sipas gjitha gjasave, ekziston mundësia reale që vendimi të jetë pro futjes së PDK-së në qeveri, ku sipas gjitha gjasave, përveç disa ministrive, do e merr edhe postin e presidentit”, i ka thënë GazetësBlic, një burim i lartë brenda LDK-së.

Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, kaloi në opozitë dhe vazhdimisht ka mohuar idenë se duhet t’i bashkohet qeverisë Hoti.

Nga kjo parti janë shprehur skeptik ndaj një sërë vendimesh të qeverisë Hoti dhe për marrëveshjen e Uashingtonit, ku kanë theksuar se Hoti ka humbur shansin për arritjen e një marrëveshjeje me njohje të ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë.

SHPËRNDAJE