AAK “harron” nënkryetarin e vet, kritikon qeverinë për të drejtat e punëtorëve

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë e ashpër në kritikat e saj se shteti i Kosovës nuk ka arritur që të përmirësojë kushtet e punëtorëve.

Përmes një komunikate për media me rastin e Ditës së Punëtorëve, AAK ka thënë se “shkelja e të drejtave të punëtorit fillon qe nga momenti që punëtori punësohet”.

“Punësimi bëhet pa kontrata të punës, me orare të stërzgjatur 10-12 orë, duke mos u kompensuar puna jashtë orarit të punës. Punëtorit i ndërpritet marrëdhënia e punës pa paralajmërim nga punëdhënësi. Gjithashtu të drejtat e punëtorëve në Kosove shkelen edhe kur punëtorëve nuk ju paguhet as Trusti Pensional ,sigurimi shëndetësor,pushimi i lehonisë të drejta këto të garantuara me ligjet në vend”, ka thënë AAK, duke numëruar edhe shkelje të tjera që sipas tyre ndodhin në vendet e punës.

Por, vetë AAK ka në kryesinë e saj zyrtar që në fakt në biznesin që ai drejton, nuk respektohen të drejtat e punëtorëve.

Nënkryetari i kësaj partie, Gazmend Abrashi, që është pronar i marketeve “Maxi”, kishte vendosur në një rast ë të mos ua japë të plotë në euro pagën punëtorëve të tij. Ai I ka detyruar punëtorët që për një pjesë të pagës të marrin mallra në marketet e “Maxi”-it.

Insajderi ka raportuar në shkurt të këtij viti se nëse një punonjës i këtyre martkeve ka pasur pagën 200 euro, tash merr vetëm 170 euro. Punëtori obligohet që 30 eurot e tjera t’i merr mall në “Maxi”. Atyre iu jepet një çek nga kompania ku tregohet shuma e lejuar për blerje të mallrave. Tregohet edhe data e skadimit të validitetit të çekut

Veprimi i Abrashit ishte cilësuar si shkelje ligjore nga ana e Inspektoratit të Punës.

“Në bazë të Ligjit të Punës paga jepet së paku njëherë në muaj, në vlera monetare (Euro). Pagesa në mallra nuk lejohet”, i ka thënë Insajderit, Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Inspektoratit të Punës.

Ibrahimi ka shtuar se Inspektorati do të bëjë inspektimin e të gjitha marketeve në Kosovë, për të shikuar nivelin e respektimit të Ligjit të Punës./Insajderi

SHPËRNDAJE