Adriatik Kelmendi tregon kush po tenton t’i përçajë VV-në dhe LDK-në

Gazetari, Adriatik Kelmendi, i ka komentuar ngjarjet e sotme lidhur me bisedimet për koalicionin LVV-LDK.

Përmes një shkrimi në facebook, Kelmendi ka pyetur se pse është duke u bërë hallakamë pa nevojë, teksa ka shtuar se Vjosa Osmani, edhe mbrëmë në emisionin e tij ka thënë se do t’i presin rezultatet përfundimtare për të parë se kush ka dalur në vendin e parë dhe kujt do t’i takojë posti i kryeministrit.

Ai ka shtuar se dikush brenda dy partive është duke dashur që të shkaktojë përçarje për arritjen e marrëveshjes për qeverisje.

Postimi i plotë i Adriatik Kelmendit:

Pse hallakamë pa nevojë? Unë mbrëmë e pata Vjosën në Rubikon. Asnjëherë nuk tha se nuk duan të bëjnë koalicion me VV-në.

Thjesht, tha, duhet t’i presim rezultatet zyrtare, kur do të dihet se cila parti ka marrë më shumë vota, cili prej kandidatëve për kryeministër – Albini ose Vjosa – ka marrë më shumë vota, si dhe të dihet saktë nga sa deputetë do t’i kenë në Kuvend LDK-ja dhe VV-ja.

Bazuar në këto, do të bëhen edhe negociatat për bashkëqeverisje, theksoi.

Kam përshtypjen se shumëkush nga jashtë, por edhe brenda VV-së dhe LDK-së, duke u nxituar, e duke u sharë, më shumë po kontribojnë në armiqësimin e panevojshëm të situatës.

Në Gjermani, partitë kanë negociuar rreth 6 muaj për të bërë koalicion dhe program. Nga ky seriozitet kanë përfituar vetë qytetarët gjermanë.

Edhe në Kosovë, s’ka pse të ketë nguti pa nevojë. Opozita e deridjeshme duhet ta formojë qeverinë e ardhshme, shkaku që mbi 50 % e qytetarëve e kanë votuar këtë ndryshim.

Vetëm mençur dhe me takt! Nuk është kjo lojë kush kujt po ia lë kilen. Vendi ka nevojë për ndryshim pozitiv rrënjësor.

SHPËRNDAJE