AGK e konsideron presion kërkesën e koalicionit PDK-AAK-Nisma

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e konsideron tendencë për ndërhyrje të drejtpërdrejt në punën e mediave, kërkesën e koalicionit PDK-AAK-NISMA për përfaqësim  të subjekteve, e jo koalicioneve në debate televizive.

Sipas AGK-së edhe pse teknikisht nuk përbën shkelje ligjore kërkesa e partive PDK, AAK dhe NISMA për ta konsideruar koalicionin PAN ndryshe prej partive tjera, megjithatë kërkesa është e padrejtë dhe tendencë për t’i imponuar politikat redaksionale, njëkohësisht edhe kërkesë për shkelje të dispozitave ligjore për përfaqësim të barabartë të të gjitha entiteteve të certifikuara nga KQZ.

“Një mënyrë e tillë për të ndikuar në politikat redaktoriale të medieve të pavarura është e papranueshme dhe cenon rëndë të drejtën e publikut për t’u informuar në mënyrë të drejt dhe të pavarur”, thuhet në reagim.

AGK pret nga PAN që ta rishqyrtojë kërkesën dhe të pranojnë debat të barabartë me të gjitha partitë e tjera të cilat garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të caktuara për 11 qershor 2017.

AGK më tej thekson se qytetarët e Kosovës meritojnë të shohin përplasje idesh, argumentesh e programesh në mes të subjekteve të certifikuara dhe në këtë kohë mediet nuk duhet të bien pre e presioneve te subjekteve apo koalicioneve të caktuara.

SHPËRNDAJE