Aksioni i 26 korrikut 2011 në detaje – si ishte vrarë Enver Zymberi

Mbi 20 minuta luftime kishin pasur 50 policë të Kosovës me 10-15 serbë. Por një plumb i vetëm snajperi e kishte rrokë në ballë, policin Enver Zymberi. Ajo ishte nata më e gjatë dhe e tmerrshme për njësitë speciale të Policisë së Kosovës, që ishin të rrethuara nga serbë të armatosur.

Kur dikush vesh uniformën e policit, thuajse i shkuan në ballë se ajo uniformë mund t’i sjellë vdekjen. Një plumb snajperi në ballë, i kishte marrë jetën edhe policit Enver Zymberi shtatë vjet më parë. Por, për cfarë u humb një jetë njeriu, një polici kosovar?

Arsyetimi i dhënë asokohe nga ish-kryeministri, Hashim Thaçi ishte shtrirja e sovranitetit në gjithë territorin e Republikës. Megjithatë, sovranitet të plotë shteti në veri të Kosovës nuk ka as sot. Gjithçka e arritur atje ka ndodhur si rezultat i negociatave me Serbinë në Bruksel, shtet ky që kontrollon një pjesë të territorit të Kosovës.
Si u vra Enver Zymberi, tashmë i shpallur Hero i Kosovës?

Insajderi sjell detaje të hetimeve të vrasjes së tij, të bazuar në dëshmi dhe prova të mbledhura gjatë një hetimi të gjatë të kryer nga hetues policorë dhe prokurorë vendës dhe të EULEX-it.

Hetimi kishte zbuluar se plumbi i parë i shkrepur nga serbët, kishte qëlluar në kokë policin Enver Symberi.

Shumë rafal tjerë ishin shkëmbyer ndërmjet 50 pjesëtarëve të Njësisë speciale operative – ROSU dhe një grupi 10 deri 15 personash serbë. Luftimet kishin zgjatur mbi 20 minuta në afërsi të fshatit Çabër më 26 korrik 2011.

Detajet e incidentit që shkaktoi vdekjen e policit Enver Zymberi ishin zbuluar në aktakuzën e ngritur disa vjet më parë nga një prokuror i EULEX-it dhe një vendës kundër Radovan Radiq (1981) i njohur me nofkën Krelac nga Zupçi dhe Milovan Vlaskoviq (1979) nga Zubin Potoku i njohur me nofkën Dragustin.

Dy prej tyre ishin arrestuar dhe gjykuar e në mungesë provash ishin shpallur të pafajshëm.

Në aktakuzën e nënshkruar nga prokurori Pascal Persoos dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqyri Syla për vepra të njëjta penale ngarkoheshin edhe Ratomir Bozoviq (1961) nga Zubin Potoku i njohur si Dude, Dushan Jovanoviq (1990) nga Mitrovica dhe Radomir Kasaloviq (1972) nga Zupçi.

Prokuroria nuk kishte mundur të përcaktojë se cili prej të akuzuarve e kishte vrarë policin Zymberi. Aktakuzën e kishin bazuar në dëshminë e një pjesëtari të Policisë që ishte në aksion. Ai është i nacionalitetit serb dhe ka statusin e dëshmitarit të mbrojtur.

Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-i disa javë rresht ishin vënë në ndjekje të gjashtë të dyshuarve për vrasjen e policit Enver Zymeri më 26 korrik në veri. Vrasja e tij kishte ndodhur një ditë pas nisjes së aksionit për vënien e kontrollit në dy pikat kufitare atje. Pas vrasjes së policit Zymeri, situata në veri të Kosovës ishte keqësuar. Serbët lokalë në mbështetur nga strukturat shtetërore që veprojnë edhe në Kosovë kishin vënë shumë barrikada, një pjesë e të cilave është ende. Por pikat kufitare, tashmë janë nën kontrollin e autoriteteve kosovare dhe atyre ndërkombëtare pas marrëveshjeve në Bruksel.

Në aktakuzë thuhej se më 26 korrik 2011 rreth orës 13: 30 më shumë se 50 policë të Njësisë Speciale Operative ROSU të cilët po qëndronin në bazën e tyre në Shipol të Mitrovicës kishin marrë urdhër për të shkuar në drejtim të portës 31 me qëllim të marrjes së kontrollit të pikës kufitare.

Konvoji i makinave të Policisë së Kosovëishte nisur në drejtim të pikës kufitare në përbërje të dy makinave të blinduara – njëra ishte në krye, tjetra në fund të konvojit, dhe 10 deri në 12 makina të Policisë së Kosovës ishin ndërmjet tyre. Derisa po udhëtonin udhëtuar nëpër rrugën e asfaltuar, në rrethinën e fshatit Çabër konvoji i Policisë së Kosovës kishte hasur në barrikadën e parë të krijuar me gurë dhe rërë.

Si pasojë, konvoji kishte shmangur rrugën kryesore dhe kishte kaluar në rrugë dytësore me qëllim të arritjes në Pikën 31

Duke vazhduar rreth dhjetë minuta, në zonën ndërmjet fshatit të Varage dhe atij të Zupçit, konvoji i Policisë së Kosovës kishte hasur në një pengesë të dytë: kësaj here barrikada përbëhej prej pesë makinave të vendosura midis rrugës. Pasagjerët dhe shoferët e pesë makinave kishin dalë prej tyre dhe kishin nisur të konfrontoheshin me Policinë e Kosovës, duke bërtitur dhe duke bërë gjeste kundër tyre.

Sipas deklaratave të dhënë prej dëshmitarëve, tetë deri në dhjetë persona kishin dalë prej makinave dhe kishin nisur të përlaheshin me oficerët e Policisë.

“Disa prej oficerëve të PK-së dolën prej makinave dhe u thanë personave që ishin jashtë makinave dhe atyre që ishin brenda që të ktheheshin në makina dhe të lëviznin me qëllim që ta lironin rrugën. Në një moment oficerët e Policisë së Kosovës i urdhërojnë personat të futën në makina dhe ta lirojnë rrugën”, thuhej në aktakuzë.

“Me arritjen e makinës së blinduar në vendin ku ishte rruga e bllokuar, 8-10 persona të cilët po qëndronin prapa barrikadës u larguan dhe u futën malit në anën e majtë. Në momentin kur personi i parë u largua nga barrikada, u dëgjua e shtëna e parë, dhe oficerët e Policisë së Kosovës të përfshirë në operacion menjëherë u informuan se njëri prej tyre ishte plagosur rëndë. Të shtënat pasuese kanë ardhur nga anën e majtë e ROSU-së”, shkruan më tej në aktakuzë.

Prokuroria përcaktoi se një plumb kishte qëlluar në fytyrë oficerin Enver Zymberi, anëtar i ROSU-së i cili po e voziste makinën e dytë të konvojit të Policisë së Kosovës. Në momentin kur ishte qëlluar, makina e tij kishte pozicion paralel me makinën e blinduar që po i printe konvojit.

Pas të shtënës së parë që e kishte qëlluar Enver Zymberin, të shtëna rafal pasuan në drejtim të makinave të Policisë së Kosovës. Ato kishin ardhur nga tri drejtime të ndryshme që kishin zgjatur rreth 20 minuta.

“Oficerët e Policisë ua kthyen zjarrin në vetëmbrojtje dhe për të marrë trupin e policit të plagosur, është dërguar në makinën e blinduar. Të shtënat kundër konvojit të Policisë së Kosovës vazhduan derisa konvoji u kthye në drejtimin e kundër”, shkruan në aktakuzë.

Dëshmitari i mbrojtur ka dëshmuar më 27 korrik 2011.

Ai ka treguar se ishte i përfshirë në planin operacional nga ora 6 e mëngjesit. Në operacion ka thënë se ishte në makinë të blinduar bashkë me oficerët e ROSU-së Erduan Dabi, Isa Salihu, Shemsi Salihu dhe Nuredin Sadiku.

“Unë i kam identifikuar katër persona, ata janë: Rade Kasaleviq, ish-konduktor në Kosova Trans, i cili është nga fshati Zupq. Ishte një djalosh i njohur si Ane, pronar i pompës së gazit në Zupq. Anash rrugës që çon në drejtim të Zubim Potokut, një djalosh me mbiemrin Radiq ose Rakiq nga fshati Zupç, i biri i Tihomirit, (Tika) i cili e kalon kohën në ‘Tim Petrol’, ka një makinë të kuqe ‘Skoda’ dhe i biri i Gjonkos Ljuba (Sloba), na e bllokuan rrugën”, ka dëshmuar dëshmitari.

Dëshmitari ka thënë se i ka njohur ata edhe më herët, prandaj i ka njohur menjëherë ata në skenën e krimit. Meqë dëshmitari nuk e ka njohur më parë, Milovan “Dragotin” Vlaskoviq para incidentit, e ka identifikuar me anë të fotografive.

“Njohja e të akuzuarve është plotësisht e besueshme duke u bazuar në dëshmitë e para që u ka dhënë në fillim të hetimit përfshirë edhe intervistën e parë pak orë pas incidentit, ku dëshmitari i ka përmendur të dy, Radiqin apo Rakiqin nga Zupqi dhe personin tjetër të identifikuar si ‘Dragutin Vlaskoviq’, si anëtar të grupit që bllokoi rrugën”, thuhet në aktakuzë.

Prokurorët theksojnë se është më rëndësi të përmendet që dëshmitari është oficer i trajnuar i Policisë së Kosovës për të bërë identifikime të tilla. Prokuroria theksonte se se dëshmitari ka thënë se atë ditë kishte pamje të mirë në pozicionin para barrikadës dhe se identifikimin e kishte bërë me qetësi relative para se të krisnin armët. Thuhet se incidenti kishte ndodhur në një ditë të kthjellët vere, kur moti ishte i mirë dhe dukshmëria ishte e mirë gjithashtu.
Prokurorët pretendonin se dëshmitari ishte në makinën e parë të blinduar dhe për rrjedhojë distanca ndërmjet tij dhe shkelësve të ligjit ishte shumë e vogël.

Për të formuar barrikadën, të akuzuarit kishin përdorur 5 vetura. Tri prej tyre janë identifikuar. Një Opel Corsa e verdhë, pronë e Dushan Jovanoviqit e kishte sjell makinën në vendin e incidentit duke ia pamundësuar Policisë të vazhdonte më tej.

“Ai shkoi në mal dhe prej aty shtiu në drejtim të oficerëve të Policisë”, thuhet në aktakuzë.
“Një Opel Corsa tjetër me ngjyrë të gjelbër, pronë e të dyshuarit të pestë Milovan Vlaskoviq dhe një golf 3 ngjyrë blu ishin po ashtu”.

Në anën e djathtë të rrugës rreth 25-30 metra nga barrikada është gjetur një AK 47, afër kanalit të ujit. Prej kësaj pozite sipas policëve një person i dyshuar ka qëlluar në drejtim të tyre dhe është fshehur nën kanal duke kaluar në anën tjetër të rrugës ku kishte një strehë të sigurt në male.

Një proces gjyqësor për këtë vrasje, rezultoi me shpalljen të pafajshëm të të akuzuarve. Sot, e asaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi për vrasjen e këtij polici.

SHPËRNDAJE