Aktakuza kundër Thaçit e Veselit – Gjykatësi francez ka kohë deri më këtë datë për vendimin final

Komunikata e famshme e Prokurorisë së Specializuar të Hagës që njofton për dërgimin në gjykatë të aktakuzës kundër presidentit Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli qëndron ende në uebsajtin e këtij instituticioni. Komunikata e cilësuar si politike nga shumë ekspertë të fushës njofton se më 24 prill, një aktakuzë e përpiluar nga Prokurori Special i Hagës është dërguar në gjykatë.

Po bëhen gati dy muaj që prej se Prokuroria e Specializuar e Hagës lëshoi komunikatën e famshme, përmes së cilës njofton për përpilimin e një aktakuze kundër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kreut të PDK-së, Kadri Veseli dhe disa personaliteteve tjera të UÇK-së, të cilëve nuk u janë publikuar emrat, shkruan lajmi.net.

Kjo komunikatë sqaron se aktakuza është dërguar më 24 prill në Gjykatën Speciale, dhe e njëjta do të trajtohet në këtë institucion, nga ku më pas do të konfirmohet ose hidhet krejtësisht poshtë.

Nga Institucioni i Prokurorisë së Specializuar i kanë thënë lajmi.net se Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka kohë gjashtë muaj për të marrë një vendim final mbi aktakuzat, dhe të njëjtat nuk do të publikohen deri në një verdikt nga Gjykata.

“Çdo informacion lidhur me aktakuzat është strikt konfidencial deri sa një gjyqtar i procedurës paraprake të konfirmojë akuzat. Gjyqtari ka deri në gjashtë muaj kohë të marrë një vendim, ta hedhë poshtë apo konfirmojë aktakuzën”, thuhej më herët në një përgjigje për lajmi.net nga Gjykata Speciale.

Bazuar në këto afate ligjore të përcaktuara, Gjyqtari i Procedurës paraprake ka kohë deri më 24 tetor të marrë një vendim në lidhje me këtë aktakuzë.

Siç edhe ceket në përgjigjen e lartëpërmendur, Specialja në rregulloren e vet specifikon se aktakuza nuk publikohet deri në një vendim final të gjyqtarit, mirëpo që në rastin e Veselit dhe Thaçit është bërë përjashtim nga rregullorja, çka sipas ekspertëve është shkelje e rëndë e punës së këtij institucioni, dhe dëmtim i kredibilitetit të Speciales. Këto vlerësime u bënë pasi që publikimi i aktakuzës së Speciales erdhi në një moment kur planifikohej takimi mes Kosovës dhe Serbisë në SHBA, teksa i njëjti më pas u anulua për këtë arsye.

E kjo aktakuzë do të jetë në dorë të një gjykatësi francez, Nicolas Guillou. Për të mund të gjenden edhe të dhëna mbi historinë e tij profesionale. Guilliu ka qenë që nga viti 2015, shef i kabinetit të Kryetarit të Tribunalit Special për Libanin.

Që nga vitit 2012, ai u emërua prokuror ndërlidhës i Francës në Departamentin e Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ndihmoi në bashkëpunimin gjyqësor midis dy vendeve për çështje penale dhe civile, veçanërisht për kundërterrorizmin, praktikat e korrupsionit në vende të huaja dhe krimin kibernetik.

Gjatë periudhës 2006-2012, gjykatësi Giju shërbeu në poste të ndryshme në Ministrinë e Drejtësisë së Francës si zëvendëskreu i seksionit për të drejtën tregtare, këshilltar për çështje penale dhe këshilltar për çështje diplomatike.

Nga viti 2003 deri më 2006, gjykatësi Giju punoi si gjykatës hetimor në gjykatën e Mosë (Meaux), afër Parisit, ku trajtoi çështje të ndryshme penale si vrasje të qëllimshme, krimin e organizuar dhe krimin financiar.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE