Albin Kurti: Gjykatën Speciale s’mund ta zhbëjmë

Për Gjykatën Speciale dhe për ngritjen e ndonjë aktakuze nga kjo gjykatë, Albin Kurti tha se e kanë kundërshtuar vazhdimisht Specialen.

Në një intervistë në Rubikon të KTV-së me Agron Bajramin, ndonëse tha se s’munden të shfuqizojnë Gjykatën Speciale, potencoi se do ta bëjnë të panevojshme duke i forcuar gjykatat vendore.

“PDK-ja e ka mbështetur vazhdimisht, me ndonjë përjashtim. Dhe tashmë Gjykata Speciale është tashmë kategori kushtetuese. Është për të ardhur keq që kemi Gjykatë Speciale. S’mund të zhbëhet ajo, sepse duhet mbi 80 deputetë, përfshirë edhe serbët.

Ka pasur ftesa për intervistim, tash ka njëfarë lloj heshtjeje, ndoshta për shkak të zgjedhjeve. Në Gjykatë të Strasburgut nuk kalon ajo gjykatë, dhe jam i bindur se kushdo që ankohet në Strasburg, e fiton rastin.

Unë Gjykatën Speciale do ta gjej aty, por ajo arsyeshmërinë kryesore të orvatjes për t’u funksionalizuar e ka pasur çështjen e dëshmitarëve, dhe me qeverinë e re do t’ia ofrojmë mbrojtjen e duhur sistemit tonë gjyqësor për dëshmitarët. Unë s’mund ta zhbëj Specialen, por do ta bëj të panevojshme, sepse kur gjykatat vendore të jenë në nivel, s’do të ketë nevojë për Specialen.

UNMIK-ut dhe EULEX-it nuk u interesonte drejtësia e qytetarëve, dhe Specialja e gjeti një arsyeshmëri të çuditshme, por ne do të forcojmë gjykatat vendore për ta bërë të panevojshme Specialen. Unë s’besoj që UÇK-ja ka bërë krime lufte e krime kundër njerëzimit, por mund të ketë bërë ndonjë individ.

Nëse dikush e ka vra një plakë serbe në Prishtinë për ndonjë banesë, ai është krim dhe duhet të dënohet. Dhe ajo s’ka qenë UÇK-ja, sepse UÇK-ja ka mundur të bëjë krime edhe gjatë bombardimeve të NATO-s, por nuk ka bërë.

E tash, për shkak të disa individëve për përfitimet e tyre materiale, ta pëson historia e lavdishme e UÇK-së dhe shteti ynë si Republikë, kjo është e papranueshme”, u shpreh mandatari i parë për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE