Albin Kurti ‘godet’ fort kryeministrin Haradinaj: Je argat i Thaçit që mbahesh për karrige

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka quajtur kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj, argat të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

E ka përmendur qëndrimin e Haradinajt karshi demarkacionit, që e kishte para se të vinte në Qeveri.

Sot, thotë as nuk ka ndodhur ndonjë korrigjim i demarkacionit dhe Kosova më s’mund t’i kthejë 8.200 hektarët që ka humbur.

Kurti, gjithashtu ka thënë se Qeveria Haradinaj duhet të japë dorëheqje, pasi sipas tij “ajo e votoi dhurimin e territorit të vendit duke mashtruar publikun, edhe për korrigjimin, edhe për liberalizimin”.

Postimi i plotë i Kurtit në Facebook:

Haradinaj lider që ia mban fjalën popullit? Jo, veçse argat i Thaçit që mbahet për karrige!

Saktësisht katër muaj më parë në Kuvendin e Kosovës u ratifikua marrëveshja e Vjenës për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, e cila ia mori vendit tonë 8.200 hektarë.

Asokohe ne këmbëngulëm që kjo marrëveshje të korrigjohej para se të votohej, duke marrë parasysh dokumentacionin dhe hartat, faktet dhe opinionet shkencore të gjeografëve, historianëve dhe ekspertëve të së drejtës ndërkombëtare, peticionin e mbi 205 mijë qytetarëve, demonstratat më të mëdha në Kosovën e pasluftës… Ky dikur ishte edhe qëndrimi i Haradinajt dhe i Limajt, para se të hynin në qeveri.

Por ata vendosën ta votojnë pa e korrigjuar marrëveshjen, sepse thanë se votimi do ta sillte liberalizimin e vizave. Gjithashtu e garantuan popullin e Kosovës se do të bëhet korrigjimi i vijës kufitare me komision të përbashkët, pas ratifikimit.

Katër muaj më vonë korrigjimi as ka ndodhur, e as ka nisur. Çakorri e Zhlebi tash kanë mbetur përtej kufirit e Kosova u zvogëlua. Ndërsa liberalizimi i vizave u shndërrua në rekomandimin e radhës dhe mbetet çështje e një të ardhmeje të papërcaktuar.

Korrigjimet kufitare, pasi që e ke ratifikuar një vijë të caktuar, funksionojnë vetëm kur jep po aq sa merr, pra tit-for-tat, andaj Kosova tashmë nuk mund t’i marrë ato 8.200 hektarë. Qeveria Haradinaj duhet të japë dorëheqje: ajo e votoi dhurimin e territorit të vendit duke mashtruar publikun, edhe për korrigjimin, edhe për liberalizimin.

SHPËRNDAJE