Albin Kurti pret në zyrë shqiptarët e boshnjakët e Sanxhakut, flasin për status special

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, që është edhe fitues i zgjedhjeve të fundit, Albin Kurti, ka pritur përfaqësues të një partie shqiptare të Sanxhakut.

VV-ja njofton se mysafir ishte kryetari i partisë së Aksionit Demokratik të Sanxhakut(SDA), Sylejman Uglanini së bashku me bashkëpunëtorë, me të cilët u diskutua edhe mundësia për një status special për këtë pjesë.

“Z. Uglanin e njoftoi kryetarin Kurti për kërkesën për status special për Sanxhakun. Mes tjerash, në këtë takim u diskutua edhe për gjendjen në Sanxhak, për pozitën e shqiptarëve dhe boshnjakëve atje, si dhe për aspiratat e tyre për punë e zhvillim drejt një jete të dinjitetshme e pa diskriminim nga Beogradi.

Kryetari Kurti dhe z. Uglanin u pajtuan që dëbimi dhe krimet ndaj komuniteteve joserbe në Sanxhak duhet të grumbullohen e të paraqitën botërisht në mënyrë që Serbia të ballafaqohet me të kaluarën por edhe të detyrohet ta ndalë diskriminimin”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Ndërkohë, sipas kësaj komunikate, të dyja palët kanë shprehur gatishmëri për vazhdim të kontaktit për të folur, siç thonë ata, për gjendjen e shqiptarëve dhe boshnjakëve në këtë vend.

Po ashtu, VV-ja thotë se përfaqësuesit e komunitetit shqiptar dhe boshnjak atje, uruan Kurtin për fitoren e 6 tetorit.

“Në këtë takim miqësor, z. Uglanin e uroi kryetarin Kurti për zgjedhjet demokratike dhe fitoren e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Ai shprehu dëshirën e tij që institucionet, qeveria e re të formohet sa më shpejtë në mënyrë që edhe ndryshimi për të cilin kanë votuar qytetarët e Republikës së Kosovës të vihet në jetë sa më pare”, thuhet aty.

Ndryshe, ky është takimi i parë që përfaqësues të komunitetit shqiptar e boshnjak të Sanxhakut vijnë për takim me ndonjë politikan nga Kosova.

SHPËRNDAJE