Analistët parashohin “trazira” në veri, kërkojnë ndryshim të qasjes ndaj dialogut

Takimi i ekipit shtetëror për dialogun me Serbinë, kryesuar nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, me shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, po shihet si një takim jo i veçantë nga analistët politikë të vendit, shkruan Gazeta Blic.

Madje, ata thonë se takimi i ditës në Bruksel ishte i panevojshëm, pasi, sipas tyre bisedimet e Kosovës janë me Serbinë dhe jo me Bashkimin Evropian. Shtuan se sjelljet individuale kundrejt interesit nacional janë duke sjellë në një situatë të paevitueshme të përplasjes me Serbinë.

Njohësi i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri në një prononcim për Gazetën Blic këtë takim e cilësoi vetëm si teknik, duke shtuar se shkuarja e 11 burrave në këtë takim ishte e pa nevojshme.

“Takim njoftues. Është takimi i parë. Nuk ka diçka të veçantë. Takim njoftues ku Kosova BE-në për opsionin e vet. S’kemi bisedime me Evropën e Bashkimin Evropian, kemi bisedime me Serbinë. BE është vetëm ndërmjetës. Ky ekip vetëm është njoftuar me ta dhe i ka prezantuar pikëpamjet e veta. Tash BE mbetet të takohet edhe me Serbinë dhe të shikohet a harmonizohen qëndrimet e tyre. Kjo është punë teknike, kurrgjë kurrkujt. Veç kanë shku 11 veta kur ka mujt me shku vetëm një person. Kanë mbajtë konferencë dy veta skanë pas nevojë për mendimin tim” tha Tahiri.

Mirëpo, për analistin tjetër të çështjeve politike, Taulant Kryeziun në një mënyrë, shkuarja e ekipit negociator në Bruksel ka qenë e panevojshme. Kjo sipas tij, pasi Ekipit Negociator i mungon legaliteti nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

“Unë mendoj që për temën që po dialogojnë me Serbinë, duhet të kemi një vendim nga Kuvendi i cili do të formonte dhe mandatonte një Ekip Negociator ku pjesë e saj do të duhet të ishte edhe një platformë e bisedimeve dhe kufizimi i këtij mandati. Kjo pasi i dimë shqetësimet e mëdha për diskutimin e territoreve. Ne e dimë që kemi edhe një rezolutë për dialogun. Rezoluta nuk i nënshtrohen kontrollit të Kushtetutshmërisë. Prandaj si mund të themi se kemi mandatuar një ekip kur ne kemi kaluar një rezolutë kur nuk ka efekt juridik” tha Kryeziu.

Sipas Kryeziut, kjo fazë e dialogut bazuar në një rezolutë e cila nuk nuk i nënshtrohet kontrollit të kushtetutshmërisë, duhet të ndërtohet mbi një premisë tjetër. Shtoi se këtij ekipi i mungon legaliteti dhe se është problem dialogu me Serbinë më një ekip të tillë.

“Kufizimi i mandatit do të kishte një pikë ku thuhet që asnjë institucion kushtetues nuk ka të drejtë të diskutoj çështjet që kanë për objekt territorin e Kosovës. Këtij ekipi përveç që i mungon legaliteti i mungon edhe legjitimiteti. është problem të dialogojmë me palën serbe dhe ti vendosim shkronjat e historisë së një marrëveshje me një vend armiqësor në një luftë armiqësore ku ende na e cenon sovranitetin. Kjo fazë e dialogut duhet të ndërtohet mbi një premisë tjetër. Nuk mund të dialogojmë me një rezolutë me 59 deputetë e mi pas afër 50 deputetë shqiptarë jashtë këtij procesi. Kjo është e pa mundur dhe e pa kuptimtë” tha ai.

Ngjashëm me këtë, thotë edhe analisti tjetër, Haki Abazi. Ai për Gazetën Blic ka thënë se takimi i sotëm i Ekipit Negociator ka treguar nivel të ulët dhe qëllimkeq të anëtarëve të delegacionit.

“Përtej lojërave dhe jo-sinqeritetit që është shpërfaqur në Parlamentin e Kosovës dhe manipulimit disamujorë me teorinë e korrigjimit të kufijve nga ana e Thaçit, takimi i sotshëm i të ashtuquajturit delegacion qeveritar ka treguar nivelin e ulët dhe qëllimkeq të anëtarëve të delegacionit. Aty gjithçka tjetër kishte përpos kohezionit dhe përfaqësimit të interesave të Kosovës” tha ai.

Sipas tij, forma e sjelljes kundrejt interesit nacional është duke sjellë në një situatë të paevitueshme të përplasjes me Serbinë.

“Përndryshe mendoj se kjo formë e papërgjegjshme e sjelljes kundrejt interesit nacional është duke sjellur në një situatë të paevitueshme të përplasjes me Serbinë e që do të prodhonte një konflikt të kontrolluar ku Serbia krijon justifikim artificial për intervenim në Veri. Ky është qëllimi përfundimtarë i Serbisë në anë tjetër për Moghenrinin është shumë e rëndësishmes që të shënojë si rezultat të mandatit te saj para së të hapet fushata elektorale ne BE” tha ndër të tjera ai.

Ndryshe, gjatë ditës së sotme Ekipi Negociator i udhëhequr nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, kanë thënë se ia kanë bërë të qartë Mogherinit që Kosova përfaqësohet me ekip dhe jo me individë.

Kanë thënë se është përmendur edhe çështja e liberalizimit dhe e taksës duke shtuar se Serbia duhet të ndalë politikën kundërshtuese ndaj Kosovës./Gazeta Blic

SHPËRNDAJE