Analisti i njohur kosovar: Ja si duhet të rregullohet çështja e postit të Presidentit

Njohësi i çështjeve politike në vend Shkelzen Maliqi në një prononcim ka treguar mbi rëndësinë që ka posti i Presidentit për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Maliqi, thekson se është gabim të kërkohet nga LDK-ja ky post pasi nuk i takon asnjë partie.

“Nuk përjashtohet që të jetë pjesë e marrëveshjes por si duket mungon kuantifikimi i saktë i peshës kundrejt posteve te tjera, sepse për pjesën e parë te mandatit të Qeverisë nuk ndikon në balancimin e ndarjes së pushtetit, por pasi qe të tërhiqet presidenti aktual, LDK-a sikur “kap” me shumë pushtet. Mu me duket gabim kur LDK thotë Presidenti i takon LDK-së, sepse ky post nuk duhet t’i takojë asnjë partie”, u shpreh ai.

Maliqi e sheh të drejtë kundërshtimin e VV-së sa i përket përfshirjes këtij posti në marrëveshjen për bashkëqeverisje.

“E konsideroj me te drejte pozicionin e LVV që e kundërshton ketë logjike dhe kërkon që të negociohet ndaras thelbi i postit të Presidentit, që sot mund te arrihet nëse dy subjektet pajtohen për kandidat konsesual që do të ishte mirë të ishte i pranueshëm edhe për opozitën dhe të votohet me 2/3 e deputetëve. Pa postin e Presidentit mendoj se LVV dhe LDK e kanë balancin e ndarjes se pushtetit dhe mirëbesimin të bazuar në programin e harmonizuar” tha Maliqi.

Ndryshe, posti i Presidentit është pika kyçe ku kanë ngecuar negociatat mes LVV dhe LDK-së.

Ky post kërkohet me ngulm nga LDK-ja dhe po kundërshtohet fort nga LVV-ja.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thirrur nesër gjatë ditës mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku pritet të vendoset edhe  mbi marrëveshjen bashkëqeverisëse me LVV-në raporton Gazeta Blic.

SHPËRNDAJE