Analisti Valon Syla: Taksa izoloi edhe më shumë Kosovën

Analisti Valon Syla, e ka vlerësuar negativisht vendosjen e taksës prej 100 përqind ndaj produkteve serbe.

I ftuar në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, ai rreth temës së efektit të taksës për një vit, mes tjerash ka thënë se ajo ka prodhuar izolim.

“E ka pranuar edhe qeveria që tash është në dorëheqje që ky vendim ka pas gjithmonë karakter politik dhe nuk ka pas ndonjë plan te caktuar ekonomik. Nga ajo qe e kemi parë dhe nga presionet ndërkombëtare, ka prodhuar izolim”.

“E kemi Uashingtonin dhe Brukselin zyrtar që kërkojnë heqjen e taksës, se kjo lidhet direkt me bllokimin e bisedimeve me Serbinë dhe është pjesë e një mjeti për ta bllokuar procesion dhe për të krijuar presion”.

“Në sferën ekonomike, atë që para një viti kemi mundur të blejmë me 10 euro sot nuk mund ta blejmë njësoj, shihet që ka pas inflacion. Në aspektin e prodhimit vendor s’është që ka pas ndonjë reagim të vlefshëm, edhe pse ka ndonjë prodhues që ndoshta ka përfituar nga kjo, por ajo që vërehet është që ka rritje të prodhimeve apo zëvendësime të prodhimeve të Serbisë, por janë prodhime jo vendore por të Maqedonisë, Turqisë e vendeve tjera që në bilancin tregtar ka shënuar rritje”.

“Çdo tendencë që mundohet ta arsyetojë taksën 100% si faktor i rëndësishëm ekonomik mendoj që është pjesë e popullizmit, sepse në aspektin esencial ka rritje të çmimeve ka izolim dhe nëse taksa ka ndikuar pak diku-diku te disa prodhues dhe e ka dëmtuar Serbinë për rreth 400 milionë euro, dëmi në nivelin ndërkombëtar të Kosovës, ai në nivelin diplomatik të izolimit sigurisht se kushton më shumë se aq sa i kemi bërë dëm Serbisë”.

“Mendoj që në esencë do ta heqin taksen. Ajo që ka mundur të ndikojë nga taksa është që Kosova është vend tregtar dhe këto mallra, ajo traditë që ishte e lidhur ngushtë me Serbinë mund ta kishte ndryshuar demografinë tregtare”.

“Nuk mendoj se ndonjë patriot i Kosovës matet me atë nëse ha ose jo “Pllazma”. Taksa kur është vendosur, 90 përqind ka qenë vendim politik, pra ka qenë për shkak të dështimeve të qeverisë, tendencë e ndryshimit të rolit të negociatorit, por dëmi është i madh. Kushdo që vjen tani në qeveri do të kthehet në pikën zero. Pllazma kanë me ngrënë ata që i kanë ngrënë gjithmonë, kufirin me veriun nuk e kontrollon, etj.”.

“Është vështirë kur nuk e kontrollon 100 përqind një pjesë të territorit, siç është Veriu. Aty kontrabandohet dhe është pikë rrjedhëse që e ka dëmtuar taksen 100 %. Dëmi thuhet se është 400 milionë. Serbia ka mbi 20 miliard euro buxhet, dhe 400 milionëshi është shumë pak. Pra dëmi është rreth 2.5 përqind.

Është një grithje e vogël që ia ke bë Serbisë, e në esence ke marr artileri diplomatike, ke prish punë, kemi dorëheqje nga Republika e Ganes, pra kemi tërheqje të njohjeve dhe kjo e bën brengosëse këte politikë. Taksa e ka logjikën bllokuese”.

“Me atë çka kemi dëgjuar nga Albin Kurti, do të ketë reciprocitet dhe mos heqje të taksës, se pasi të vendoset një marrëdhënie reciprociteti me Serbinë atëherë do të hiqet taksa. Mendoj që nuk përputhet me kërkesat e ndërkombëtarëve, pra është loje e fjalëve që Kurti po luan.

Ne esencë reciprociteti do të ishte efektiv sepse lidhet me njohje.

Prapë se prapë pa pasur kontroll të fuqishëm në Veri është e vështirë të premtohet një reciprocitet”, ka thënë Syla.

SHPËRNDAJE