Anëtari i Bordit të Ujësjellësit fyen gazetarin Gazmend Morina për shkrimin ndaj Ramadan Sejdiut

Pas shkrimit të portalit Veriu.info ku tregohet se si është punësuar në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Mitrovica”, Ramadan Sejdiu, ka shpërthyer me fyerje anëtari i Bordit të kësaj kompanie, Zukë Beqiri, i cili ka qenë i kontaktuar me rastin e publikimit të shkrimit.

Pas publikimit të shkrimit, Zukë Beqiri e ka telefonuar gazetarin Gazmend Morina, të cilin e ka fyer rëndë.

“Qysh s’po te vjen marre, une të thash që për këto sene është vetëm kryesuesi i Bordit jep informata. Pse ma qite fotografinë pa lejen teme … dokumentacioni ka qenë në rregull”, i ka thënë Beqiri, gazetarit Morina.

Kur Gazmend Morina i ka rekomanduar dërgimin e ankesës në redaksinë e portalit, në Këshillin e Mediave të Shkruara apo në gjykatë, anëtari i Bordit të Ujësjellësit, Zukë Beqiri ka thënë: “Le more mos më shurdho ti mua a ki drejt a s’ki drejt. Turp ty duhet me të ardh, unë ty po të njoh shumë mirë dhe mo harro emrin tem, kurrë nuk guxon me përmend. Shumë mirë na njihemi kush jena e tek jena … more publiko në ‘rrotë të sams’, hiq s’po ma nin”.

Ky reagim i Zukë Beqirit ka ardhur pas publikimit të një shkrimi nga portali Veriu.info, ku tregohej se si është punësuar në këtë në Kompaninë Rajonale të Ujesjellesit “Mitrovica”,  Ramadan Sejdiu, i cili ka qenë Drejtor i Njësisë për Politika dhe Monitorim të Ndërmarrjeve Publike në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik. Ai ishte përjashtuar nga puna për shkak se ishte arrestuar nga autoritetet japoneze në shtator të vitit 2015 me akuzën për ngacmim seksual gjatë një udhëtimi zyrtar.

Ndryshe, Veriu.info e ka cituar Zukë Beqirin, sikurse edhe Blerim Gërxhaliun dhe Sami Miftarin, ku tek citatet e secilit prej tyre kanë qenë edhe fotografitë, praktikë kjo për shkrime hulumtuese, sidomos kur citohen personat që nuk janë figura shumë të njohura për publikun.

P.S.: Veriu.info mund t’i dëshmoj në çdo kohë dy deklarimet e Zukë Beqirit.