Anulimi i procesit të noterisë, mbi 60 noterë ushtrojnë padi ndaj Ministrisë së Drejtësisë

Anulimi i procesit të noterisë kohë më parë nga ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka shtyrë mbi 60 kandidatë të cilët kishin kryer këtë provim që të ushtrojnë padi ndaj këtij vendimi të ministres Haxhiu.

Këtë për Telegrafin e ka konfirmuar avokati Florin Lata. Lata ka thënë se padia është dorëzuar të hënë më 16 mars.

“Të hënën më datë 16 mars 2020 është dorëzuar padia e mbi 62 kandidatëve që kanë kaluar provimin e noterisë, me anë të së cilës nga Gjykata është kërkuar që të anulohet vendimi i Ministrisë së Drejtësisë Nr. 15/2020 me nr.prot. 01- 173 i datës 24.02.2020 për Anulimin e “procesit të provimit të noterisë”, ka thënë Lata.

Avokati përfaqësues i mbi 62 kandidatëve që kanë kaluar provimin e noterisë, ka theksuar se vendim i Ministrisë së Drejtësisë është nxjerr në kundërshtim të plotë me dispozitat e Ligjit të Procedurës së Përgjithshme Administrative, dhe si i tillë është i pa ligjshëm në kuptim të nenit 52 të LPPA-së.

“Shoqëria e Avokatëve “Vokshi & Lata” ka gjetur shkelje të shumta ligjore në këtë vendim, e të cilat janë përshkruar në padi, ndër të cilat do të veçonim janë mungesën e kompetencës së Ministrit të Drejtësisë për të anuluar vendimet e një komisioni profesional të përbërë nga 2 noterë, 1 gjyqtar, 1 profesor universitar dhe një i punësuar nga stafi civil i Ministrisë së Drejtësisë, ashtu siç edhe e parasheh Ligji për Noterinë.

Prandaj, në përputhje me Ligjin për Noterinë nga momenti kur komisioni profesional ka marr përgjegjësitë, vendimet e tij janë përfundimtare dhe vendimet e tilla mund t’i anulon apo ndryshon vetëm Gjykata.

Praktikë të njëjtë kemi edhe me provimin e jurisprudencës, ku Ministria ka vetëm rol organizativ, por assesi nuk ka të drejtë që të anulon rezultatet e provimit”, është shprehu Lata.

Avokati Lata ka shtuar se vlen të theksohet se vendimi i Ministrisë së Drejtësisë nuk ka as formën që e përcakton Ligji i Procedurës së Përgjithshme Administrative, pasi që ka një dispozitë të paqartë dhe arsyetim tepër të përgjithësuar.

“Theksojmë se me vendimin e Ministrisë së Drejtësisë është anuluar “PROCESI I PROVIMIT” mirëpo, Ligji për Procedurën Administrative që rregullon vendimet e organeve administrative siç është Ministria e Drejtësisë askund nuk rregullon proceset e as anulimin e proceseve.

Ligji përcakton se me një akt administrativ (në këtë rast me vendimin kontestues) mund të anulohet një akt tjetër administrativ, ku duhet të identifikohet qartë se cili akt po anulohet.

Në rastin konkret, Ministria me vendimin kontestues nuk sqaron se cilin akt administrativ po e anulon, pasi që nga shpallja për dhënien e provimit të noterisë e deri te certifikatat që iu janë lëshuar kandidatëve të suksesshëm janë edhe një mori aktesh tjera, ku disa prej tyre nuk janë nxjerr nga Ministria por nga Komisioni profesional” ka theksuar tutje avokati.

Avokati pretendon se arsyetimi i dhënë nga Ministria e Drejtësisë nuk është në përputhje me formën e paraparë me Ligj. Sipas tij në arsyetim nuk sqarohet se cilat prova i ka marr parasysh Ministria e Drejtësisë kur ka nxjerr vendimin kontestues.

“Nuk është dhënë asnjë sqarim pse është ushtruar diskrecioni në rastin e nxjerrjes së vendimit kontestues. Arsyetimi është i përgjithësuar, duke u mos përmendur emra, data, fakte apo shkaqet vendimtare.

Disa prova me rëndësi janë injoruar tërësisht nga Ministria me rastin e nxjerrjes së këtij vendimi. MD me qëllim të anulimit të kinse një procesi të paligjshëm, me vendimin kontestues ka nxjerr një akt administrativ të paligjshëm duke i vlerësuar si të paligjshme vendimet e saja të mëhershme por pa sqaruar se si e ka vlerësuar kundërligjshmërinë e tyre.

Realisht, vendimi kontestues shkel parimet bazë të Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe njëherit cenon rëndë edhe të drejtat kushtetuese të paditësve”, ka deklaruar avokati Florin Lata

Lata më tej ka shtuar se vlen të theksohet se kur një organ administrativ vendos që të anulon një vendim të tij në bazë të diskrecionit, siç ka vepruar Ministria e Drejtësisë, i njëjti duhet të ketë arsyetim shumë të qartë dhe të mbështet në dispozitat ligjore.

Çka nuk ka ndodhur me vendimin kontestues, prandaj, konsiderojmë se vendimi i Ministrisë së Drejtësisë për të anuluar procesin e provimit të noterisë është i paligjshëm dhe si i tillë duhet të anulohet nga Gjykata.

Ndryshe kujtojmë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu më 20 shkurt të këtij viti mori vendim për anulimin e procesit të noterisë.

Ajo pati deklaruar se ky proces nuk ka pasur ligjshmëri, transparencë e as objektivitet, pasi sipas saj, shumica e kandidatëve kanë qenë familjarë dhe militantë partiakë.

Kundër këtij provimi, gjatë vitit 2019, kishte pasur reagime të shumta, duke e cilësuar atë si të komprometuar.
Në gusht të vitit të kaluar, gjashtë organizata të shoqërisë civile, kishin reaguar kundër vazhdimit të procesit për zgjedhjen e Noterëve, sipas konkursit publik të shpallur nga Ministria e Drejtësisë (MD).

Sipas OJQ-ve, procesi në fjalë nuk mund të shtyhej përpara, pasi që kryeministri i atëhershëm Ramush Haradinaj kishte dhënë dorëheqje dhe komprometimit të këtij procesi në publik, duke shtuar se është i papranueshëm vazhdimi i këtij procesi.

Përmes këtij reagimi, OJQ-të në fjalë kishin kërkuar nga Ministria e Drejtësisë ri-shikimin e vendimit për konkursin publik të noterëve, duke kthyer atë në pikën zero.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE