Arrestohet dhe suspendohet nga puna një zyrtar policor, dyshohet për keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), të enjten, ka arrestuar një zyrtar policor, nën dyshimin se i njëjtit ka bërë keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Një njoftim i tillë është bërë i ditur nga një komunikatë për media të IPK-së.

“Inspektorati Policor i Kosovës mbrëmë pas mesnatës ka pranuar informacion nga Policia e Kosovës lidhur me pretendimet e një qytetari për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në një incident që kishte ndodhur pas mesnatës në Prishtinë”, thuhet në njoftim

Sipas IPK-së, pas disa veprimeve hetimore e në konsultim me prokurorinë kompetente kanë arritur që të arrestojnë zyrtarin policor të përfshirë në incident, e i cili siç thuhet aty, ka qenë punonjës në stacionin policor Qendra në Prishtinë.

“Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.

Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.”, thuhet në përfundim të komunikatës.

SHPËRNDAJE