Asambleisti i vetëm shqiptar në Zveçan: Hyjmë në luftë, trojet nuk i lëshojmë

Në komunën e Zveçanit është vetëm një asambleist shqiptar. Lavdim Peci kërkon nga liderët e institucioneve që të përkujdesen më shumë për banorët shqiptarë të pjesës veriore të vendit.

Komuna e Zveçanit në veri të Kosovës, në mesin e 19 serbëve sa e përbëjnë Kuvendin Komunal, Lavdim Peci është i vetmi asambleist shqiptar që përfaqëson shqiptarët atje.Megjithatë, ai thotë se ka raporte të mira me serbët.

“Kemi marrëdhënie të mira me serbët. Jemi të diskriminuar në ndarjen e buxhetit, por nga qeveria, serbët nuk kanë faj. Neve si komunitet nuk na është ndarë buxhet sa duhet”, thotë për RTV Dukagjinin, asambleisti Lavdim Peci.

Ajo çka e shqetëson më së shumti është fakti i 100 burrave shqiptarë të cilët janë të papunë dhe me gjendje jo të mirë sociale.

“Punësimi në tri fshatrat shqiptare të Zveçanit mbetet problem. Në Trepçë i kemi vetëm katër persona të punësuar. Rreth 100 meshkuj shqiptar i kemi të papunë në këto fshatra”, tha ai.

I pyetur për çështjen e ndryshimit të kufijve e cila po diskutohet kohëve të fundit, ai ka një porosi për presidentin, Hashim Thaçi.

“Atë e ka bërë presidenti Thaçi. Le ta harron se ne lëshojmë trojet tona, në luftë hyjmë e nuk I lëshojmë trojet tona, këtë le ta dijë e gjithë bota”, shprehet Lavdim Peci.

Ai kërkon nga liderët e institucioneve të Kosovës që të përkujdesen më shumë për banorët shqiptarë në pjesën veriore si dhe t’i vizitojnë ndonjëherë për të kuptuar nga afër problemet e përditshme.

SHPËRNDAJE