Avokati Berisha: Akuzat ndaj Gucatit e Haradinajt janë të ligjshme

Avokati Besnik Berisha ka thënë që akuzat ndaj kryetarit të OVL- UÇK-së, Hysni Gucatit dhe nënkryetarit Nasim Haradinajt janë të ligjshme, pasi sipas tij, Dhomat e Specializuara kanë juridiksion për ngritjen e këtyre akuzave.

“Ligji për Dhomat e Specializuara, jo vetëm që sanksionon ose ndjek krimet e pretenduara të 1998/2000, por njëhkohësisht ka edhe kapitull të veçantë të veprave penal, të cilat dyshohen ose ndiqen kundër administrimit të drejtësisë”.

“Sa i përket legalitetit të procedurës ndaj Haradinajt dhe Gucatit, sot dhe çdo ditë tjetër kurdo që zhvillohet procedurë e kësaj natyre, nuk mund të kontestohet juridiksioni në raport me pretendimet që sot rëndojnë mbi Haradinajn ose Gucatin”, ka thënë Berisha në Rubikon në Klan Kosova.

“Veprimet janë të ligjshme, përkatësisht kanë mbështetje ligjore, në ligjin për Dhomat e Specializuara dhe mjafton në hyrje të ligjit, me e pa se me kapituj dhe vepra të veçanta i referohen jo vetëm ligjit të kodit të ish-Jugosllavisë asokohe , por edhe kodit pasues me rregullore të UNMIK-ut dhe kodit deri në vitin 2012 që ka qenë në fuqi”, u shpreh ai.

Berisha vlerëson se Gjykata Speciale i shkeli të drejtat e Nasim Haradinajt, pasi sipas tij, brenda 48 orëve duhej të dilte para gjykatësit dhee jo pas pesë ditëve.

“Më vjen keq që organizata e dala nga lufta po e përjetojnë një situatë të tillë. Liderët e tyre, tani që është për t’u gjykuar në vetvete, sepse ta marrësh një njeri dhe ta futësh në aeroplan dhe për një javë mos të ketë shansin me dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake, kjo është shkelje fundamentale”.

“E quaj arrestim me një urdhër të një gjyqtari të ligjshëm që ka mandat por e gjykoj secilin veprim tutje si shkelje fundamentale. Gjykata Speciale, filloi me shkelje në raport me ndalimin dhe përballjen para gjyqtarit ndaj Haradinajt”.

SHPËRNDAJE