Babai i Palit: Ende nuk arrita t’ia nxjerri arsyen e zhdukjes

Nxënësi 15-vjeçar që ishte zhdukur për 48 orë dhe i cili u gjet mbrëmë vonë në Fushë Kosovë tashmë është duke pushuar në gjumë në shtëpinë e tij.

Babai i tij Nik Hiseni ka thënë për Gazetën Insajderi se djali tash është shëndosh e mirë dhe po fle në gjumë.

Ai tha se nuk ka arritur të flasë më gjatë me djalin për ta mësuar arsyen e zhdukjes së tij.

“Pesë minuta e kam parë mbrëmë dhe ka ra me pushu”, ka rrëfyer Nik Hiseni.

Ai tha se sot gjatë ditës do të shkojnë sërish në polici për të dhënë deklarata bashkë me djalin.

“Gjatë ditës do të shkojmë në polici bashkë me djalin për të dhënë deklaratë”, ka shtuar ai.

Për më tepër, nxënësi 15-vjeçar Pal Hiseni, para dy ditësh është zhdukur në mesditë pasi kishte dalë nga një qebaptore në Gjakovë.

Policia ishte vënë në kërkim të tij. Fillimisht u tha se ishte parë diku në qytet duke e mbushur telefonin. Telefoni i tij ishte jashtë funksionit.

Pas më shumë se një dite, dje në orët e pasdites ishte paraqitur në telefon nga Mitrovica. Kishte folur shkurt dhe e kishte mbyllur telefonin.

Kaluar disa orë dhe policia, përmes rrugëve operative, arriti ta gjejë atë diku në Fushë Kosovë. E mori dhe e ktheu në shtëpi.

Ende nuk janë mësuar arsyet e zhdukjes së tij. Babai thotë se djali tash është shëndosh e mirë.

SHPËRNDAJE