Bahtiri: Asnjë rast me COVID-19 në Mitrovicë, merita më e madhe ju takon qytetarëve

Mostrat e fundit të marra nga Mitrovica për testimin me koronavirus, duke përfshirë 8 mostra të ditës së djeshme dhe 5 të sotme, kanë dalur negative duke bërë që ky qytet të mbetet pa asnjë rast me COVID-19, raporton Gazeta Online Veriu.info.

Këtë e ka bërë të ditur kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka falënderuar të gjithë qytetarët e Mitrovicës sepse kjo është parasegjithash meritë e tyre.

Bahtiri ka bërë thirrje se pavarësisht që asnjë rast nuk është konfirmuar, kjo s’duhet të na dembeloj në përpjekjen për të fituar luftën kundër këtij virusi.

Postimi i plotë:

Nuk ka lajm më të mirë për mua se të gjithë të dyshuarit me COVID-19 në qytetin e Mitrovicës janë testuar dhe të gjithë kanë dalur NEGATIV. Dje 8 mostra të marra, ndersa sot edhe 5, gjithësejt 13 sosh NEGATIVE.

Kjo meritë nuk është e askujt tjetër më shumë të dashur qytetarë, përveç se e juaja. Ashtu siç ju kërkova unë çdo herë, edhe kësaj radhe keni lënë anash të gjitha dallimet që keni mes vete te çfardo natyre dhe e luftuat e po luftoni fuqishëm këtë pandemi. Përgjithmonë ju jam mirënjohës.

Pra, momentalisht nuk kemi asnjë rast të konfirmuar me COVID-19, por kjo nuk duhet të na dembeloj në përpjekjen tonë për të fituar me sukses të plotë luftën kundër këtij virusi.

Ju admiroj pa masë, ju dua fort.

AB