Bahtiri: E kryer, AKR-nuk i bashkohet PAN-it

Koalicioni PDK-AAK-Nisma, i cili nuk arriti t’i sigurojë 61 vota pavarësisht se doli triumfues në zgjedhjet e 11 qershorit, tashmë ka nisur takimet individualisht me deputetë të subjekteve të tjera.

Gjatë ditës së djeshme i nominuari për kryeministër nga PAN-i, Ramush Haradinaj, ka vizituar familjen e ish-presidentit Ibrahim Rugova, me ç’rast të dyja palët janë dakorduar që deputetja e LDK-së, Teuta Rugova, ta mbështesë kandidaturën e Haradinajt.

Një gjë të tillë e ka pohuar tërthorazi vetë Haradinaj, i cili ka thënë se bashkëpunimi me familjen Rugova do të vazhdojë edhe sot, siç kishte vazhduar edhe në kohën e ish-presidentit, nga i cili kishte arritur të bëhej kryeministër.

Nga ana tjetër, Teuta Rugova, pas takimit, tha se vizita e Haradinajt ka qenë krejtësisht miqësore.

Ndërkaq i nominuari i PAN-it gjatë së premtes u bëri thirrje edhe LDK-së, edhe AKR-së që t’i bashkëngjiten kaolicionit fitues, mirëpo të dyja këto parti e refuzuan ftesën e tij.

Nga ana tjetër kandidati për kryeministër nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa (LAA), Avdullah Hoti, ka reaguar pas takimit mes Haradinajt dhe familjes Rugova, me ç’rast ka thënë se të gjithë deputetët e LDK-së janë unikë.

“Nga sot të gjitha konspiracionet morën fund. Përpjekja e fundit i qartësoi të gjitha. Deputetët e LDK-së janë unikë. Deputetët e koalicionit LAA janë unikë. Qeveria e ardhshme është proevropiane”, ka deklaruar Hoti.

Edhe nënkryetari i AKR-së, Agim Bahtiri, duke folur rreth ftesës së Ramush Haradinajt drejtuar AKR-së, ka thënë për “Zërin” se ky subjekt assesi nuk do t’i bashkohet PAN-it.

“AKR-ja nuk u bashkëngjitet, e kryer është kjo punë”, ka thënë Bahtiri shkurt. /Zeri/

SHPËRNDAJE