Bahtiri: I kam thënë Thaçit se po të lëvizin kufijtë ai do të rrëzohet

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka folur për dialogun mes Kosovës e Serbisë, por ka këmbëngulur që nga kjo çështje që do të zhvillohet në Bruksel, si përfundim, nuk do të lëvizë asnjë copë nga toka e Kosovës.

Bahtiri në Interaktiv të KTV-së, tha se sa i përket kësaj çështje është përgjegjësi më e madhe për të si kryetar i Mitrovicës, pasi thotë se Mitrovica po tentohet të ndahet.

“Padrejtësisht Komuna e Mitrovicës është ndarë në dysh, e kam marrë iniciativën për të takuar të gjithë, deri te presidenti për të parë se si do të zhvillohet më tutje problemi, siç po thuhet, ndarjes së Kosovës”, tha ai.

Bahtiri ka thënë se Mitrovica është e vendosur të mbroj çdo pëllëmbë të Mitrovicës, dhe sipas tij, kufijtë nuk do të lëvizin.

“Do ta mbroj fuqishëm edhe në tavolinë por po qe nevoja edhe në rrugë”, tha ai.

Bahtiri ka folur edhe për deklaratat e presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, i cili thotë se nuk do të ketë ndarje por afrim të Luginës së Preshevës me Kosovën.

“Me sinqeritet i kam thënë se po se lëvizë vetëm një hap në atë drejtim, pra në ndarje të Kosovës, po iu garantoj se ai do të rrëzohet. Çdo njeri që guxon të prek territorin e Kosovës, do të jetë në rrëzim të shtetit. U bëj thirrje politikanëve të mbrojmë truallin e të parëve tanë”, tha ai.

Bahtiri thotë se nëse preken kufijtë do ketë luftë ballkanike ku shqiptarët do të fitojnë

Lideri i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, thotë se kufijtë janë vendosur padrejtësisht, pasi edhe Lugina është e Kosovës, ashtu si veriu i Mitrovicës.

“Nuk do të ketë lëvizje të territorit, boll kemi humbur tokë, boll kemi derdhur gjak, lëvizja e kufijve është thirrje për luftë”, tha Bahtiri në Interaktiv.

Bahtiri ka thënë se kufijtë nuk kanë pse të korrigjohen. “Ashtu kërkohet bashkimi kombëtar. Çdo prekje e kufijve, qoftë shtetit tjetër, atëherë dihet mirë çka do të ndodhë me shqiptarët. Nëse preken kufijtë, atëherë do bëhet luftë ballkanike edhe dihet se shqiptarët do të dalin fitues”, tha kryetari i Mitrovicës.

Muajin tjetër hapet Ura e Ibrit, thotë Bahtiri

Agim Bahtiri, ka thënë se hapja e Urës së Ibrit është në fazën përfundimtare. U shpreh i bindur se ura do të jetë e lirë për qarkullim gjatë muajit të ardhshëm.

“Kur kam ardhë unë në 2013-ën, e kam gjetur qytetin e ndarë me barrikada. Një vend me tension të ngritur mes dy nacionaliteteve, e kam bërë të pamundurën, për t’i bindur se qyteti duhet të jetë i bashkuar”, tha Bahtiri.

“Për sa i përket Urës së Ibrit, po ju them se jemi në proces përfundimtar, javën e ardhshme përfundon komplet infrastruktura e rivitalizimit të Urës”. Bahtiri thotë se ka pasur pengesa, por në muajin e ardhshëm do jetë urë e hapur edhe për komunikacion edhe për qytetarë.

“Ky është vullnet edhe i qytetarëve serbë edhe kosovarë”, tha ai, duke shtuar se do jetë zonë e lirë ekonomike. “Të gjitha gjasat janë se muajin e ardhshëm do hapet. Në shtator do jetë hapja ceremoniale. Do punojmë shumë të mos ketë incidente”, thotë ai.

Bahtiri ka thënë se e beson që ka përkrahje të madhe edhe nga kryetari i Mitrovicës Veriore, Goran Rakiq, pasi siç thotë ai, “kemi punuar bashkë në të mirë të qytetarëve”.

Bahtiri ka thënë se nuk do të ndodhë kurrë as ndarje të Mitrovicës, as ndarje të territorit të Kosovës. “Do ta shihni vullnetin e popullit, dhe cili politikan do dalë jashtë vullnetit të popullit”.

Bahtiri: Kush guxon të dalë jashtë vullnetit të popullit do përballet me të

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri ka folur edhe për delegacionin e Kosovës që duhet të shkojë në Bruksel, por nuk ka treguar qartësisht nëse e përkrahë presidentin Thaçi për të qenë kryenegociator.

“S’dua të përmend emër a të shkoj Thaçi apo kush, por Kuvendi të marrë vendim të zgjedh delegacionin që do të merret me çështjen e bisedimeve në Bruksel për Kosovën dhe Serbinë, dhe ai organ para se të nënshkruajë vendimin të njoftojë Kuvendin e Kosovës, e më pas Kuvendi duhet t’i jap vendimin për të nënshkruar marrëveshje. Nuk do të lejojmë që pasuritë tona tjetër kush t’i shfrytëzojë e uzurpojë”, tha ai.

Bahtiri ka thënë se ka një vizion të qartë për çështjen e kufijve, dhe se do bëjë të pamundurën për të mbrojtur territorin.

“Thaçin e kam takuar dhe kam biseduar rreth 3 orë me të. Ai e din qëndrimin tim. Unë e kam një vizion të qartë, jam i lidhur me popullin dhe ai më përkrahë. ‘Mbajeni në mend, s’ka kodër që s’rrafshitet’. Ai që guxon të dalë jashtë vullnetit të popullit, do të përballet me popullin”, tha Bahtiri.

Ata që e kanë ndarë Mitrovicën, e kanë tradhtuar Kosovën, thotë Bahtiri, duke mos përmendur emra, por duke thënë se ekziston historia, dhe se gjithçka është bërë për çështje personale.

“Unë nuk jam kryetar i thjesht, mbajeni mend, unë jam prijës. Do jem gjithmonë kundër atyre që duan ta shesin Kosovën.

Agim Bahtiri, ka thënë se dorëheqja e Albena Reshitajt, si ministre e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, nuk u bë me kërkesë të partisë.

“Nuk e di nëse partia ia ka kërkuar dorëheqjen, ende s’jam takuar me Reshitajn sepse është në pushim, por s’e besoj sepse s’ka pasur arsye pse t’ia kërkojë”. Ka folur edhe për emërimin e saj si këshilltare të kryeministrit, por ka thënë se kjo është normale.

Bahtiri beson se Fatmir Matoshi që u emëruar UD i ministrit të Mjedisit, do të jetë edhe ministër i MPH-së.

Në fund, Bahtiri ka thënë se për sa i përket qeverisjes në Mitrovicë, ai po bën të pamundurën që Mitrovica të shkojë përpara.

“Këtë mandat se kam premtuar asnjë vend pune. Në vizionin tim, po punoj dhe mendoj si menaxher për t’i ndihmuar qytetarëve. Këtë mandat do të bëjë shumë të mira”, tha ai.

I pyetur se pse e ka emëruar nipin e tij drejtor të Emergjencës në Mitrovicë, ai tha sepse ka përvojë të mirë pune dhe se nipi i tij, siç thotë ai, ka lënë një rrogë të majme vetëm për t’i ndihmuar atij.

“Nipi im ka qenë i punësuar, ka ardhur nga Irlanda vetëm për të më ndihmuar mua dhe qytetin. Ai s’ka pasur nevojë për një pagë të drejtorit, por emergjenca ka pasë nevojë për siguri të plotë”, tha ai.

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE