Bahtiri: Jo Agim Veliu, por Isa Mustafa po e bllokon marrëveshjen me VV-në

Kryetari i Mitrovicës dhe zyrtari i Vetëvendosjes, Agim Bahtiri ka thënë se çështja e Kryetarit të Parlamentit është çështje e mbyllur.

Bahtiri, në një linjë telefonike për “Debat Plus” në RTV Dukagjini ka thënë se LDK-së i kanë ofruar kryetarin e Kuvendit, por këta të fundit kanë dashur Presidentin.

Ai ka thënë se me 26 dhjetor madje propozuan që ata të bëjnë propozimin e një anëtari të LDK-së në krye të Kuvendit, por përsëri LDK nuk deshi dhe shkuan me kandidatin e tyre.

Bahtiri ka thënë se Vetëvendosje për shkak të parimeve nuk bën pazar me një pozitë siç është Kryetari i Kuvendit.

“I kam thënë personalisht edhe Agim Veliut se mbi këtë post nuk kalon asgjë. Gjithçka mund të diskutohet, por posti i Kryeparlamentarit ka përfunduar njëherë e përgjithmonë”.

Zyrtari i Vetëvendosjes ka thënë se kjo parti është e hapur për të diskutuar për të mirën e Kosovës, por sipas tij kjo parti nuk do të shkel mbi parimet e saja, përcjell Telegrafi.

Bahtiri thotë se ajo çfarë po kërkon LDK-ja është e pa realizueshme dhe sipas tij Vetëvendosje “s’ka ku të shkojë më”.

“Largimi i Glauk Konjufcës do të ishte poshtërim për Vetëvendosjen dhe vet institucionin e Kuvendit”.

I pari i Mitrovicës ka thënë se Isa Mustafa është bllokues i marrëveshjes me Vetëvendosjen.

“Jo Agim Veliu, por Isa Mustafa është bllokues i marrëveshjes”.

SHPËRNDAJE