Bajqinovci godet fort PDK-në: Që 10 vite e kapët Policinë, duke ua ndaluar punësimin shumë profesionistëve

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka reaguar pas një konkursi të fundit, që është bërë në Policinë e Kosovës, dhe dyshimet se i njëjti është kurdisur nga akterë politikë.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij zyrtare në facebook, Bajqinovci, ka thënë se që 10 vite, që Policia është futur nën kthetrat e kontrollit politik dhe parapolitik të PDK’së.

Deputeti i VV-së, ka shtuar se “si rezultat i këtij 10 vjeçari, shumë profesionistë meritor janë dekurajuar, defaktorizuar e parandaluar për t’u avancuar sipas kapacitetit të tyre profesional e moral”.

Reagimi i plotë nga deputeti Bajqinovci:

Në policinë e Kosovës, në fillim të këtij muaji, është mbajtur testi për gradën togerë.

Mbi 700 zyrtarë të gradave më të ulta që i plotësonin kriteret formale, i ishin nënshtruar testimit. Megjithatë, testi ishte shpërndarë paraprakisht gjithmonë flas sipas mediave me qëllim që të kurdisej rezultati i atij testimi që gjithë procesin e kthen në një farsë sikurse çdo kund tjetër në institucione që është vepruar me konkurset.

Ka kohë, afër 10 vite, kur Policia është futur nën kthetrat e kontrollit politik dhe parapolitik të PDK’së.

Me gjithë bazat e mira që ishin vendosur në fillimet e saj, përfshirë edhe rezultatet, në Policinë tonë, këto 10 vite janë zhbërë rregullat e procedurat e gradimeve e avancimeve mbi baze meritore e profesionale për t’u zëvendësuar me kritere politike, parapolitike e nepotike.

Si rezultat i këtij 10 vjeçari, shumë profesionistë meritor janë dekurajuar, defaktorizuar e parandaluar për t’u avancuar sipas kapacitetit të tyre profesional e moral.

Mbi të gjitha, shteti dhe qytetarët janë privuar nga mundësia për të pasur një polici akoma më të përgatitur, më profesinale e më efikase në luftimin e të gjitha llojeve të krimit, garantimin e sigurisë, rendit dhe qetësisë për qytetarët.

Qeveria duhet të analizojë mirë gjendjen aktuale në polici dhe të marrë vendimet e duhura. Në polici s’kanë vend shkelësit e ligjeve dhe procedurave apo njerëz që e pengojnë meritokracinë.

Ky proces i gradimit duhet të stopohet pas publikimit në media për shpërndarjen e testit dhe duhet të merren masa ndaj përgjegjësve.

SHPËRNDAJE