Banka Botërore: 78% e 15-vjeçarëve në Kosovë janë analfabetë funksionalë

Mbyllja e shkollave gjatë pandemisë do të sjellë humbje të konsiderueshme në rezultatet mësimore në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, për çka mund të duhen vite për ta rimarrë veten. Ky konstatim ka dalë në një raport të Bankës Botërore të publikuar këtë javë e që përfshin edhe Kosovën.

Sipas vlerësimeve të raportit, përqindja e personave në Ballkanin Perëndimor që nuk e zotërojnë nivelin elementar në lexim mund rritet nga 53% në 61 për qind. Po ashtu, theksohet se një përqindje më e madhe nxënësish do të kthehen në analfabetë funksionalë dhe mund edhe ta lënë shkollën.

Raporti konstaton se 78% e 15-vjeçarëve në Kosovë janë analfabetë funksionalë, derisa në Shqipëri, Maqedoni e Veriut, Mali i Zi kjo shkallë është më e ulët 50%, kurse në Serbi 38 për qind.

Sipas njohësit të çështjeve të arsimit, Halim Hyseni, krahasuar me vendet e tjera, pandemia në arsimin e Kosovës do të lërë pasoja më të mëdha për shkak të gjendjes jo të mirë në këtë sektor.

Edhe Rinor Qehaja nga Instituti “Edguard”, ka thënë se pandemia ka ndikuar veçanërisht në rezultatet e nxënies tek nxënësit e që, sipas tij, do të reflektohen edhe në testin “PISA”.

KOHA ka tentuar të marrë qëndrim edhe nga Ministria e Arsimit për ndikimin e COVID-19 në sektorin e arsimit, por nuk ka marrë përgjigje tash e dy ditë. Si pasojë e pandemisë, institucionet arsimore në Kosovë janë mbyllur më 11 mars dhe deri tash janë hapur vetëm institucionet parashkollore. /KOHA

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE