“Bashkatdhetarët në Londër” ndërtojnë në Mitrovicë dy shtëpi për familjet në nevojë

Një grup bashkatdhetarësh tanë me qëndrim në Londër, i quajtur “Bashkatdhetarët në Londër”, ju ka siguruar kulmin mbi kokë dy familjeve me gjendje të rëndë ekonomiko-sociale në Mitrovicë. Përzgjedhja e familjeve është bërë nga nja komision i përbashkët i komunës dhe bashkatdhetarëve tanë nga Londra.

Vënia e gurthemelit për dy shtëpitë është bërë të premten nga kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, nënkryetari Faruk Mujka, drejtorët Qazim Nimani e Nasuf aliu dhe nga përfaqësuesi i “Bashkatdhetarët në Londër”, Fatos Ademi e ai i Fondacionit “Freskia” nga Prishtina, Besim Arbneshi dhe nga anëtarët e familjes. I pranishëm ishte edhe përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Mitrovicës, Hamit Kamberi, imam në xhamin e Tunelit të Parë dhe Irfan Krasniqi, imam në xhaminë e Bairit.

Kryetari i Komunës, Agim Bahtiri pasi falënderoi përfaqësuesin e grupit “Bashkatdhetarët në Londër”, Fatos Ademi, tha se ndjehet tepër i lumtur që bashkatdhetarët tanë nga Londra kanë sigurua donacionin për ndërtimin e këtyre dy shtëpive për këto dy familje që jetojnë në kushte të vështira dhe të cilat nuk e kanë pas të zgjidhur çështjen e banimit.

“Ju të nderuar bashkatdhetar po bëni një punë të mrekullueshme me ndërtimin e këtyre dy shtëpive. Të gëzosh familjet që kanë nevojë për kulm mbi kokë, në prag të festës më të madhe të myslimanëve, Bajramit të Madh, është një ndjenjë e jashtëzakonshme dhe pa dyshim nj gjest i jashtëzakonshëm humanitar. Unë ju përëgzoj për këtë donacion dhe për ndihmat tjera që po i bëni për t’ua lehtësuar jetën njerëzve në nevojë’, tha ndër të tjera kryetari Bahtiri.

Përfaqësuesi i grupit “Bashkatdhetarët në Londër”, tha se aksioni për grumbullimin e ndihmave është marrë pas pamjeve që janë transmetuar në televizion, ku gjendja e këtyre familjeve shihej se është tepër e rëndë.

“Pas kronikës televizive, morëm vendim që të organizohemi dhe të ndihmojmë këto dy familje. Mjetet i siguruam shumë shpejtë dhe ja sot po fillojmë ndërtimin e shtëpive dhe kjo na gëzon pa masë. Urojmë që fëmijët e familjeve të ritën në kushte normale jetese dhe të shkollohen pa probleme. Shfrytëzoj rastin të apeloj tek të gjithë njerëzit vullnet mirë që të ndihmojnë në forma të ndryshme edhe familjet tjera në nevojë, që janë të shumta”, tha ai ndër të tjera.

Ndërkaq, drejtori i Fondacionit “Freskia” nga Prishtina, Besim Arbneshi, tha se donatorët meritojnë gjithë respektin dhe falënderimet më të mëdha për këtë vepër humane, sepse po i nxjerrin nga mjerimi këto dy familje. Ai falënderoi edhe komunën për bashkëpunim dhe kryerjen e obligimeve të veta ashtu siç është më së miri.

Kryefamiljarët Kapllan e Asllan Qerkezi, falënderuan të gjithë kontributorët dhe në veçanti donatorët që ua siguruan kulmin mbi kokë, për të cilin i kishin humbur shpresat, pasi që e kishin gjendjen vërtetë të rëndë. Kapllani është vet i pesti, ndërsa Asllani vet i katërti anëtarë i familjes.

SHPËRNDAJE