Bedri Tahiri: Hasan Prishtina – Truri i Lëvizjes Kombëtare

Hape pamjen e mëposhtme dhe shikoje të plotë

Shkruan: Bedri TAHIRI

(Fjalë hyrëse në Orën letrare kushtuar të madhit Hasan Prishtina, mbajtur në Kalanë e Vushtrrisë më 10 gusht 2018)

Hape pamjen e mëposhtme dhe shikoje të plotë

Tё respektuar artistё e artdashёs!

Në kuadër të Ditëve të Hasan Prishtinës, që DKRS-ja dhe Komuna po e mbajnë për të dytën herë (Herën e parë është mbjatur më 9. 10. 2009), organizuam këtë orë letrare, kryesisht me krijuesit vushtrrias të Klubit letrar “Latif Berisha” e Grupit letrar “Gjimnazisti”.

Sado qё tё flasёsh pёr figurёn mё tё ndritur tё kombit, Hasan Prishtinёn, nuk mund t’i dalim hakut, ngase Ai gjithçka dha e shkriu nga vetja, madje edhe jetёn, pёr Shqipёrinё e plotё, me Preshevё e Çamёri, me Tivar e Prevezё e deri te Molla e Kuqe, por, me pak fjalё, qё tё mos ju mёrzis, do tё pёrpiqem tё them diçka…

Kur, më 1771, një plak me emrin Ali, me qerren mbushur me plaçka, kapërceu kodrat e Galicës dhe zbriti në Vushtrri, askujt nuk i shkonte ndërmend se i nipi do të bëhej aq i madh, sa do ta trandë Perandorinë Turke në themel dhe do t’u prijë shqiptarëve në luftëra e beteja për çlirim e bashkim kombëtar. Ishte ky Ali Berisha i Polacit të Drenicës, i biri i Abdullah Aliut, njeriut të fundit të kësaj familjeje që vdiq dhe u varros në Polac.

Hasan Prishtina u lind në Vushtrri, më 27 shtator 1873. Deri më 1908 është quajtur Hasan Berisha-Polaci, gjegjësisht Hasan Vuçitërni, kurse prej kur zgjedhet deputet i Prishtinës, nënshkruhet Hasan Prishtina. Djaloshi kureshtar dhe inteligjent, mësimet e para i mbaroi në vendlindje, të mesmet në Selanik dhe Fakultetin e Drejtësisë në Stamboll. Gjatë shkollimit fitoi kulturë të gjerë dhe u brumos me ide revolucionare e përparimtare evropiane. Ai shumë shpejt u bë një erudit i madh, dhe pos shqipes njihte mirë: anglishten, arabishten, frëngjishten, çerkezishten, greqishten, gjermanishten, italishten, serbishten dhe turqishten.

Hasan Prishtina është unikat edhe në fushën e arsimit kombëtar. Me nismën e tij, u organizua Kongresi i Alfabetit në Manastir (14- 22 nëntor 1908). Atë vit do të nisë punën edhe Shkolla Normale e Elbasanit, ku do të mësojnë edhe shumë nxënës nga Kosova, shumica me harxhimet e Hasan Prishtinës. Ky burrë i madh i kombit organizoi Kryengritjn e Madhe në Kosovë (1910-11), Kuvendin e Junikut (21-25 maj 1912), ku u nxor Memorandum prej 14 kërkesash, që më vonë do të njihen si “14 pikat e Hasan Prishtinës”, ishte kryeministër i Shqipërisë (vetëm katër ditë) etj.

Ideali i Hasan Prishtinës ishte çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i kombit shqiptar. Ai ishte i papajtueshëm me çdo përpjekje përçarëse, veri- jug, toskë e gegë. Në një fjalim në Parlamentin shqiptar më 1921, ai deklaroi: Unë nuk jam as toskë, as gegë, por jam shqiptar.

Së fundi, më 14 gusht 1933, spiuni Ibrahim Çelo nga Resnja e Maqedonisë, në rrugën Çimisku të Selanikut, derisa Hasani po shëtiste, i doli pas shpine dhe e qëlloi me katër plumba. Tirana e asaj kohe dhe Beogradi vrasjen e festuan si fitore të madhe. Kjo tregon se sa i rëndësishëm ishte Hasan Prishtina.

Për një kohë, emri dhe vepra e të madhit Hasan Prishtina, mbetën nën tisin e harresës. Fan Noli kishte të drejtë kur thoshte: “Çdo heroi në histori i është dashur të kalojë përmes tri fazave: të glorifikimit, të asgjësimit dhe të rivlerësimit
Në vitin 1977, eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri, në Varrezat e Dëshmorëve, në Kukës. Me dekret presidencial nr. 435, datë 26.01.1993, atdhetari dhe luftëtari Hasan Prishtina është dekoruar me Urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë.
Sot, më shumë së kurrë, është koha që kjo figurë e shquar dhe e nderuar kombëtare, të vlerësohet drejt dhe t’i jepet vendi i merituar në historiografinë tonë”. Përndryshe, mos ta harrojmë thënien e tij: “Dhe para se gjithash, ruhuni nga mallkimi i historisë dhe mos e harroni atë kur jepni mendimin tuaj!
Ju falëminderit për vëmendje!


KTHIMI NË VENDLINDJE
(Hasan Prishtinës që në bronz u kthye në Vushtrri)

Herët e pate lënë vendlindjen,
Vicianën me kalldrëm të gurtë
Erdhe burrë katërqind dërhemë
Hero e diplomat i fjalës së urtë

Drenicën tënde kurrë s’e harrove
Aty u betove për luftë e për liri
Drejtove kryengritjet shqiptare
Në Selanik të vranë në pabesi

Shkrive pasuri, djersë dhe gjak
S’të nënshtruan dot ari e menitë
I sfidove dënimet me vdekje

Sa i urreve vëllavrasjet e dredhitë

Në Vushtrri me Azem Galicën
Kuvenduat për besë e për dituri
Hapët shkollën e parë shqipe
Që sot e rikujtojmë me krenari

U ktheve n’bronz, eshtrat i lë pas
Si Shotë Galica, atje tej në Arbëri
Gjaku Juaj- shkriu kufijtë e mjerë
Andej e këndej është veç Shqipëri!

Hape pamjen e mëposhtme dhe shikoje të plotë
SHPËRNDAJE