Bekë Berisha mohon aksidentin me veturën e Telekomit, flet edhe për punësimin e motrës

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka thënë se nuk është i vërtetë lajmi që ai është aksidentuar me një veturë të Telekomit të Kosovës.

“Unë kam qenë në Holandë. Prej Amsterdamit kam arritur të bëj aksident në bjeshkët e Dukagjinit dhe pastaj jam kthyer”.

“Kam qenë jashtë vendit, nuk kam mundur të bëj aksident e më së paku me veturë të Telekomit por kjo është një gënjeshtër e radhës. Kam qenë jashtë Kosovës dhe plot njerëz më kanë telefonuar të më pyesin se a jam mirë”.

Berisha në Sytë 7 në Klan Kosova ka thënë se e di se pse po ndodhin këto që ai i ka quajtur sulme ndaj tij ndërkohë që ka paralajmëruar padi.

“Është një proces. Në disa sondazhe që unë nuk u besoj dhe nuk merrem me to, më paskan qit mirë diku si deputet dhe tash ndoshta është shqetësuar dikush prej brenda ose nga jashtë”.

“Për këtë rast dhe të tjerat kam autorizuar avokatin tim dhe do të bëj padi për shpifje. Ne në katun i thojmë ‘rrenë’ ndoshta ju këtu në Prishtinë i thoni gënjeshtër”.

Deputeti i AAK-së ka folur edhe për punësimet e familjarëve të zyrtarëve publikë të punësuar në Telekomin e Kosovës duke pranuar se edhe motra e tij është e punësuar aty.

“Është e vërtetë se motra ime punon në Telekom por nuk e kam punësuar unë, ajo është punësuar aty para një viti”.

“Motra ime është i vetmi person në familjen tonë dhe në jetët tona që punon në një institucion”.

“Mund të llogaritet që e kam shtyrë në punë por është i vetmi person i familjes sonë, që mbahet mend, që ka mundur të futet në një institucion dhe ta marrë një rrogë aty”.

Madje ai edhe ka ironizuar me këtë çështje.

“Pasi u bë kaq e madhe do ta marrë motrën dhe t’i them dil nga puna. Po ashtu kush është nëcAleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe që është në punë do t’iu them t’i internojnë dhe t’i dërgojnë diku në bjeshkë sepse nuk po bëjka që Aleanca të futet në punë”.

“Ne, në krejt këtë historinë tonë të re, nuk kemi krijuar këso shërbime sekrete. Nuk jemi orientuar të bëjmë ndonjë shërbim të fshehtë, nëse e bëjmë një punësim ose diçka, dihet menjëherë”.

Deputeti i AAK-së ka thënë se ka ardhur koha që të dalin në pah fytyra të reja brenda partive politike.

“LDK e mbron [Ibrahim] Rugovën prej së vdekuri dhe shkon e përfiton politikisht. Në ndërkohë që ka njerëz të tjerë që po fe mbrojnë UÇK-në derisa UÇK-ja po shkon çdo ditë në Hagë, është gjynah që deputetët kanë votuar një Gjykatë për UÇK-në”.

“Kjo duhet të ndryshohet, në të gjitha partitë politike duhet të vijnë njerëz të rinj, të shkolluar dhe të familjeve të mira që janë jashtë këtij shablloni”.

“I motivoj njerëzit në të gjitha partitë politike që të luftojnë aty ku janë që të vijnë njerëz të rinj sepse janë bërë bajat edhe njerëzit edhe mediat”.

“Jemi në një situatë ku duhet të ndërrojmë kahjen, prej pas luftës deri tash e dëgjon një gënjeshtër”.