Beqiri i bindur se zgjedhjet mbahen sivjet, flet edhe për incidentet brenda LDK-së

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri shprehet i bindur që zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen sivjet. Ai thotë se shtatori është fillimi i fundit i qeverisë Haradinaj, derisa vjeshtën e sheh si afatin e duhur për zgjedhje. Në një intervistë për KosovaPress, ai flet për përgatitjet e mocionit të votëbesimit për Qeverinë dhe incidentet brenda kuvendeve zgjedhore të LDK-së.

Mocioni i mosbesimit për Qeverinë Haradinaj, i iniciuar nga partitë e mëdha opozitare në vend, ende nuk i është dërguar Kuvendit të Kosovës.

Megjithë deklaratat e vazhdueshme të partive opozitare, se duhet shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme, meqë kjo qeveri nuk mund të udhëheqë më me vendin, ende nuk ka veprime konkrete për rrëzim të saj.

Sipas Ismet Beqirit, duhen vota shtesë për mocionin e mosbesimit, të cilat shpreson që do të sigurohen në shtator, kur edhe e sheh kohë të përshtatshme për intensifikimin e punës së tyre në drejtim të rrëzimit të Qeverisë.

Për Beqirin, është e habitshme kur të tjerët deklarojnë se nuk e rrëzojnë Qeverinë Haradinaj me votat e Listës Serbe.

Ai kujton kohën kur e njëjta qeveri është krijuar duke pritur deputetët e Listës Serbe për votim dhe thotë se të gjitha qeveritë do të zgjidhen me votat e atyre që janë deputetë.

Por, Beqiri thekson se nuk përgatisin mocion me shpresat në Listën Serbe ose në ndonjë marrëveshje me ta.

Beqiri thotë se janë në bisedime me subjektet opozitare, e edhe njerëz që nuk janë në opozitë, lidhur me mocionin e mosbesimit.

Sekretari i Përgjithshëm i LDK-së, flet edhe për zhvillimet brenda LDK-së dhe zgjedhjet që po mbahen në kuvende.

Sipas tij, LDK-ja e vërtetë nuk është në incidentet, e izoluara, siç i quan ai, të cilat kanë ndodhur kohët e fundit në disa nëndegë.

Beqiri thotë se dihen me emra personat e subjekteve të tjera politike të cilët kanë hyrë në tubimet e kuvendeve zgjedhore të nëndegëve të LDK-së, me qëllim të dëmtimit të kësaj partie.

I pyetur se a është zhvendosur vëmendja e LDK-së në proceset brenda partisë, dhe si shkak i kësaj nuk kanë proceduar tutje mocionin e mosbesimit, Beqiri e mohon një gjë të tillë.

Sipas tij, ata që po keq-qeverisin me Kosovën janë të interesuar që të zhvendoset vëmendje në ngjarjet që kanë ndodhur brenda LDK-së, duke bërë përpjekje që të mbulohen skandalet e Qeverisë.