Biznesmeni kosovar që importoi mish nga kompania e dyshimtë belge, kërcënon këta gazetarë

Rreth dy javë më parë shpërtheu skandali i mishit në Belgjikë. Gazeta Online Insajderi zbuloi para pesë ditësh emrin e kompanisë kosovare që kishte importuar mish nga kompania e dyshimtë belge “Veviba”.

Bëhej fjalë për kompaninë nga Rahoveci “Euro Ida”, e cila, sipas dokumenteve që Insajderi ka siguruar nga Dogana e Kosovës, kishte importuar mish nga kompania belge “Veviba” në muajt maj dhe qershor të vitit 2016.

Për artikullin e publikuar nga Insajderi, të titulluar: “Zbulohet emri i kompanisë kosovare që importoi mishin nga Belgjika”, ka reaguar sot drejtori i kompanisë “Euro Ida”, Anton Jupa. Ai ka telefonuar në redaksinë e Gazetës Online Insajderi dhe ka kërcënuar me vrasje ekipin e Insajderit.(Shtyp mbi pamjen e mëposhtme dhe shikoje ⤵)

“Problemet serioze janë shumë! Shumë serioze! A me ditë qaj personi që u kon i pari, pasha natën e babës që ka dekë e ai ka bo vetëvrasje, (nuk kuptohet) s’ka me e myt, vetëm ka me e copëtu me sakicë, ka me coptu edhe me masakru. Maje në mend qa po thom unë”, ka thënë Jupa, në një telefonatë në redaksinë e gazetës.

Drejtori i kompanisë “Euro Ida” ka pranuar se kishte importuar mish nga kompania belge në vitin 2016, ashtu siç kishte raportuar Insajderi në artikullin e publikuar më 14 mars.

Insajderi kishte siguruar një dokument nga burime brenda Doganës së Kosovës, të cilat dëshmonin se kompania “Euro Ida” kishte importuar mish nga kompania e dyshimtë belge “Veviba”, në muajt maj dhe qershor të vitit 2016.

Insajderi nuk kishte konkluduar nëse mishi që kjo kompani ka importuar nga “Veviba” kishte qenë i prishur apo jo.

Rreth dy javë më parë, Agjencia Federale për Sigurimi të Ushqimit (FASFC) në Belgjikë, pas një hetimi që zgjati dy vjet, njoftoi se kompania “Veviba” ka funksionuar në kushte të papranueshme sanitare, dhe ka manipuluar me përmbajtjen e mishit sikurse edhe me etiketat për afatin e përdorimit.

Agjencia Federale për Siguri të Ushqimit (FASFC) kishte thënë se ka mbyllur fabrikën përpunimit të mishit “Verbist Group” si dhe frigoriferin “VEVIBA” në Bastogne, në Belgjikën jugore, pas rastit të mashtrimit.

SHPËRNDAJE