Bojkotuan klubin, Trepça ’89 suspendon tre futbollistë

Kampioni aktual, Trepça ’89 ka pësuar humbje sot në Gjilan me rezultat 0:2. Pas ndeshjes trajneri Gugash Magani u shpreh i pakënaqur me lojën e skuadrës së tij, e në veçanti me qasjen e disa futbollistëve.

Disa orë më vonë, kryesia e klubit ka mbajtur mbledhje dhe ka vendosur të suspendojë futbollistët: Shend Kelmendi, Argjend Mustafa dhe Festim Krasniqi, të cilët nuk kishin udhëtuar fare për në Gjilan.

Në arsyetimin e skuadrës, thuhet:(Shtyp mbi linkun e mëposhtëm dhe shiko pamjen e plotë ⤵)

Futbollistët e lartpërmendur pas seancës stërvitore të mbajtur me 20.04.2018 ( e premte ) janë lojtarë që gjenden në mesin e 18 futbollistëve për ndeshjen e javës 28 me KF Gjilanin. Të njëjtit, të nesërmen (e shtunë) sipas protokollit të klubit nuk u paraqitën në drekën e përbashkët dhe nuk udhëtuan për zhvillimin e ndeshjes në Gjilan, duke bojkotuar klubin. Ne jemi të informuar se, ky veprim i tre futbollistëve është bërë me qëllim të caktuar për ta dëmtuar klubin KF Trepça ‘89 dhe për favore të klubeve tjera. Klubi, duke shikuar rrethanat e ngjarjes dyshon që këta tre futbollistë kanë bashkëpunuar me individë të caktuar për favore të klubeve tjera, po ashtu janë shkaktarë, të cilët na larguan nga gara për titullin e kampionit.  “Ata e dine pse”. Jemi të detyruar të tregojmë se ndaj futbollistëve në fjalë i kemi kryer të gjitha obligimet financiare sipas kontratës së punës. Në bazë të statutit të klubit, rregullores mbi të punësuarit dhe rregullores disiplinore, KF Trepça ’89, pas analizës së gjerë dhe informatave, futbollistët nuk ju kane përmbajtur rregulloreve të lartë përmendura, prandaj klubi merr vendim për aprovimin e masës ndëshkuese, suspendim nga komisioni disiplinor i klubit.

SHPËRNDAJE