Bordi i përkohshëm i Postës ‘raporton’ për punën: Ulëm pagat e menaxhmentit, limituam përdorimin e veturave zyrtare

Përmes një komunikate për media Bordi i Përkohshëm i Postës së Kosovës ka prezantuar të arriturat për periudhën prill – maj 2020.

Sipas kësaj komunikate, është refuzuar marrja në shfrytëzim nga ana e bordit, të veturave zyrtare dhe kompensimit të derivateve të naftës, si dhe ka udhëzuar Menaxhmenti që ta përdorë veturën vetëm për nevoja të ndërmarrjes.

Poashtu, bëhet e ditur se janë zbritur pagat prej 30% për 4 zyrtarë të lartë të Menaxhmentit, që janë kursyer 2 mijë e 640 euro në muaj.

“Zyrat Postare me qira kanë pasur një humbje të përgjithshme, prej 47,211.11 euro për vitin 2019. Janë identifikuar 11 objekte që operojnë me humbje, prej tyre 8 objekte operojnë me humbje mbi 50% vjetore. Për të gjitha këto janë inicuar kërkesa tek Menaxhementi që të identifikoi shkaktarët e operimit me humbje”, thuhet në komunikatën e Postës.

Tutje, bëhet e ditur se sindikata e punëtorëve ka bërë kërkesë për identifikim të konfliktit të interesit dhe nepotizmit, pastaj Bordi ka iniciuar tek Menaxhmenti hartimin e rregullores për konflikt të interesit dhe nepotizmit në Ndërmarrje.

“Pikat kryesore të planit të veprimit të Bordit janë: Përditësimi i Rregullores dhe Statutit për IFJB-të; Vendosja e rregullsisë në rregulloret për staf; Analizim dhe Identifikim i humbjeve në zyrat postare të marra me qira; Rishikimi i Planit të auditimit për vitin 2020; Rishikimi i Planit të Biznesit për vitin 2020 për shkak të rrethanave me COVID-19; Hartimi i Strategjisë Afatgjate për Zhvillim të Ndërmarrjes 2021-2025”, thuhet në fund të komunikatës së Bordit të Përkohshëm të Postës së Kosovës.

SHPËRNDAJE