Bordi Politik i ‘Trepçës’

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar propozimin e Komisionit Rekomandues për emërimin e anëtarëve të bordit mbikëqyrës të ‘Trepçës’ i përberë prej gjashtë anëtarëve. Anëtarët e rinj të bordit mbikëqyrës janë, Esat Peci, Feriz Fetahu, Xhafer Nuli, Shyqeri Sadiku, Ardian Syla dhe Naser Peci, ndërsa tre anëtarët e tjerë të Bordit që duhet të jenë nga komuniteti serb nuk janë zgjedhur akoma për shkak të mungesës së aplikuesve.

Mirëpo, sikurse edhe Qeveritë e kaluara, edhe kjo e drejtuar nga kryeministri Haradinaj sot ka vepruar njëjtë, duke emëruar persona politik në Bordin e ndërmarrjes ‘Trepça’, shkruan Veriu.info.

Kjo pasi që Esat Peci ka qenë kandidat i AAK-së për kryetar të komunës së Mitrovicës në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar. Ai po ashtu është asambleist i AAK-së në Kuvendin e komunës së Mitrovicës, me ç’rast sot qeveria e ka shkelur neni 17.2 pika ‘k’ të Ligjit për Ndërmarrjet Publike, i cili ndalon zgjedhjen në Bord të Ndërmarrjeve Publike të personave të cilët në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit kanë qenë zyrtar i zgjedhur publik, të emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike.

Esat Peci dhe Ramush Haradinaj

Siç shihet Esat Peci i ka pasur dy pengesa për t’u zgjedhur, pasi që është zgjedhur zyrtar publik në zgjedhjet e fundit lokale, duke u bërë pjesë e Kuvendit Komunal të Mitrovicës dhe ka (pasur) post udhëheqës në një parti politike, duke qenë kryetar i degës së AAK-së në Mitrovicë.

Më keq se Ramush Haradinaj nuk e ka lënë as kryetari i NISMA socialdemokrate dhe zëvendëskryeministri, Fatmir Limaj, pasi që Feriz Fetahu, është zgjedhur anëtar i Bordit të ‘Trepçës’, duke qenë njëri prej drejtuesve të degës së NISMA në Mitrovicë. Ai po ashtu në zgjedhjet e fundit lokale ish kandidat i kësaj partie për asambleist në Kuvendin Komunal të Mitrovicës, duke bartur numrin dy në listën zgjedhore, shkruan Veriu.info.


Foto e Feriz Fetahut gjatë fushatës zgjedhor

Feriz Fetahu shihet në foto duke kërkuar vota për kandidatin e NISMA për kryetar të Mitrovicës, Qazim Shala, por të cilin sot e mposhti në garë pë Bord të ‘Trepçës, pasi që edhe ai kishte kandiduar për anëtar Bordi.

Anëtari tjetër i Bordit është Ardian Syla, i cili më parë ka qenë anëtar i Bordit të Kompanisë së Ujesjellësit Rajonal “Prishtina”. Ndër të tjera në CV-në e tij shkruan se ka studiuar në Universitetin e Shefildit dhe ka punuar në “Hotel Victory” në vitin 2005, që ishte biznes i uzurpuar nga Bedri Selmani, ish këshilltarit të Hashim Thaçit. Pikërisht në “Hotel Victory”, PDK-ja ka mbajtur pothuajse të gjitha mbledhjet e Këshillit Drejtues dhe Këshillit të Përgjithshëm deri në vitin 2015.

Dekani i Fakultetit të Gjeoshkencave në Universitetin e Mitrovicës, Naser Peci, është anëtari tjetër i Bordit të ‘Trepçës’, përderisa Xhafer Nuli ishte njëri prej drejtuesve të ‘Trepçës’ në kohën e zhvillimit të saj në vitet e 70-ta dhe 80-ta, duke qenë bashkëpunëtor i afërt me Aziz Abrashin.

Ndërsa, i vetmi që përfaqëson zërin e minatorëve në Bord do të jetë Shyqeri Sadiku, i cili është kryetar i Sindikatës së punëtorëve të “Trepçës”.

Ndryshe, më 10 tetor të vitit të kaluar kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ambasadori Britanik në Kosovë, Ruairí O’Connell, i kishin vënë firmat e tyre në një memorandum mirëkuptimi. Ata u morën vesh që Ambasada të asistonte në rekrutimin e njerëzve kredibilë nëpër bordet e ndërmarrjeve publike. Por, kur nuk kanë shkuar as 3 muaj nga nënshkrimi i këtij memorandumi Qeveria e Kosovës e shkeli atë. Zyrtarë të ambasadës britanike kishin konfirmuar se janë larguar nga Komisioni për Emërimin e Anëtarëve në Bordin e “Trepçës” me kërkesë të Qeverisë së Kosovës./Gazmend Morina/ Veriu.info

  • ETIKETIMET
  • 1
SHPËRNDAJE