Botimi i radhës nga Prof. Assoc. Dr. Sabit Syla: Dokumente diplomatike të qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë,

Në veprën “Dokumente diplomatike të Qeverisë shqiptare për Demonstratat e vitit 1981 në Kosovë”, autori Sabit Syla ka prezantuar materialet autentike të kohës, dokumente të arkivuara, të cilat dëshmojnë qartë e saktësisht të gjitha zhvillimet diplomatike të Shqipërisë në raport me Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe shtetet e tjera, lidhur me përkrahjen parimore mbi baza kombëtare, që Tirana zyrtare iu kishte dhënë kërkesave të drejta të shqiptarëve në Jugosllavi, veçmas pas shpërthimit të Demonstratave e protestave të Marsit e Prillit të vitit 1981 në Kosovë.

Dokumentet janë të Qeverisë shqiptare nga Arkivi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme (AMEPJ), Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Arkivi Qendror i Shtetit (AQSH) dhe Arkivi Qendror i Forcave të Armatosura – Ministria e Mbrojtjes (AQFA). Në përzgjedhjen e tyre për ribotim, autori ka bërë përpjekje për klasifikimin e dokumenteve, të cilat kanë më shumë informacione për demonstratat e vitit 1981. Si të tilla, dokumentet janë origjinale, të hartuara nga diplomatë e konsuj të rangjeve të ndryshme të ambasadave shqiptare, të akredituara në vende të ndryshme botërore, deri te diplomatët dhe drejtoritë politike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të Brendshme të shtetit shqiptar. Po ashtu, tejet me interes janë edhe dokumentet me karakter ushtarak të hartuara nga Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë dhe Drejtoria e Zbulimit. Dokumentet në fjalë hedhin dritë mbi qëndrimin kritik të Byrosë Politike, Komitetit Qendror dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë kundrejt Jugosllavisë dhe në veçanti ndaj veprimeve të politikës serbe në Kosovë.

Dokumentacioni krijon mundësinë që të shohim dinamikën e zhvillimeve shqiptare më 1981, e brenda këtij konteksti të njohim qëndrimet e shteteve dhe komentet nga shtypi botëror, mendimet e faktorit politik ndërkombëtar, i cili ishte i ndarë në qëndrimet dhe në opinionet rreth çështjes së Kosovës. Dokumentet e këtyre fondeve, janë përzgjedhë me kujdes gjatë punës kërkimore shkencore në arkivat e shtetit shqiptar, të kryera gjatë viteve 2008-2012 si dhe 2018-2019. Këtij vëllimi të ripunuar, i janë shtuar tridhjetë dokumente të pabotuara deri më tani, duke respektuar kronologjinë e tyre me tituj të qartë, të shoqëruara me vendin dhe kohën e hartimit të tyre. Dokumentet janë pajisur me shënime sqaruese, së bashku me indikacionet tjera arkivore, si numri i fondit, dosja, etj., të cilat do ta lehtësojnë punën e çdo studiuesi që do të donte të njihej me këtë botim dhe të gjejë më lehtë dokumentin origjinal.

Me ribotimin e këtij vëllimi është dhënë një kontribut i rëndësishëm për historiografinë shqiptare dhe për studiuesit që merren me kërkime historike për shqiptarët në përgjithësi dhe për Kosovën në veçanti, gjatë shekullit XX-të.

SHPËRNDAJE